TË FUNDIT

Nga etiketa te shënjestra: “Ku je spiune?” ndaj Gërvallës rikthen metodën që përshkroi Specialja

Në murin e Ministrisë së Drejtësisë u shkrua me ngjyrë të kuqe: “Ku je spiune?”. Shënjestra ishte ministrja Donika Gërvalla.

Më pas, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, shpërndau një fotomontazh ku Gërvalla paraqitej pranë flamurit serb dhe cilësohej “tradhtare e kombit”.

Në një rast tjetër, Policia arrestoi një 32-vjeçar, të dyshuar se kishte kërcënuar Donika Gërvallën dhe gazetarin Vudi Xhymshiti, duke përmendur edhe “plumbin”.

Këto janë ngjarje të veçanta, por të gjitha pasqyrojnë të njëjtën klimë të rrezikshme politike: kundërshtari nuk kritikohet me argumente, por damkoset si “spiun”, “tradhtar” dhe “armik”.

Nga etiketa krijohet shënjestra. Nga shënjestra lind kërcënimi. Ndërsa nga kërcënimi mund të lindë dhuna.

Metoda që përshkroi Specialja

Në aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, trupi gjykues përshkroi mënyrën se si kundërshtarët politikë, personat e konsideruar jobesnikë dhe individët e perceptuar si bashkëpunëtorë të Serbisë etiketoheshin si “spiunë” ose “tradhtarë”.

Pas etiketimit, disa prej tyre u ndaluan, u keqtrajtuan, u torturuan, u zhdukën ose u vranë.

Prandaj fjala “spiune”, e shkruar në objektin e Ministrisë së Drejtësisë, nuk mund të trajtohet vetëm si vandalizëm mbi një mur. Kosova e njeh historinë e kësaj fjale dhe e di çmimin që kanë paguar njerëzit e shënjestruar me të.

Etiketimi ia heq kundërshtarit identitetin politik dhe njerëzor. Në vend të debatit, ofrohet akuza. Në vend të provave, flamuri serb. Në vend të kritikës, kërcënimi.

Kjo nuk është demokraci. Është përgatitje e terrenit për linçim publik.

Çfarë lidhjeje ka Gërvalla me aktgjykimin?

Qytetarët kanë të drejtë të protestojnë kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara. Kanë të drejtë ta kundërshtojnë gjykatën, të kërkojnë ndryshimin e ligjit, mbështetje më të madhe për ekipet mbrojtëse dhe angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë.

Por futja e shkarkimit të Donika Gërvallës mes kërkesave për Hagën e ndryshon natyrën e protestës.

Gërvalla nuk e ka dhënë aktgjykimin. Ajo nuk i ka shqiptuar dënimet dhe largimi i saj nuk do ta ndryshonte vendimin e shkallës së parë.

Atëherë, pse shkarkimi i saj paraqitet si kërkesë e protestës kundër Speciales?

Kjo tregon se revolta qytetare ndaj aktgjykimit po devijohet drejt një beteje tjetër: dobësimit dhe rrëzimit të Qeverisë.

Shumë qytetarë mund të kenë dalë në protestë me bindje të sinqertë dhe nga emocioni për ish-krerët e UÇK-së. Por emocionet e tyre po përdoren për kërkesa politike që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me procesin gjyqësor.

Në vend që energjia të përqendrohet te apeli, argumentet juridike dhe mbrojtja profesionale, shënjestra po zhvendoset nga Haga në Prishtinë – nga gjykata te Qeveria dhe te Donika Gërvalla.

Flamuri serb si mjet linçimi

Shpërndarja nga Mërgim Lushtaku e fotomontazhit ku Gërvalla paraqitet me flamurin serb është veçanërisht e rëndë.

Kur këtë e bën një deputet, nuk mund të arsyetohet si reagim i rastësishëm në rrjetet sociale. Një përfaqësues i zgjedhur ka përgjegjësi për gjuhën, simbolikën dhe pasojat e mesazheve që shpërndan.

Vendosja e flamurit serb pranë një kundërshtari politik nuk është kritikë. Është përpjekje për ta përjashtuar atë nga bashkësia kombëtare dhe për ta paraqitur si armik të Kosovës.

Gërvalla mund të kritikohet për çdo vendim dhe deklaratë. Mund të kërkohet edhe shkarkimi i saj, por kjo duhet bërë me argumente dhe përgjegjësi konkrete.

Ta paraqesësh si “tradhtare të kombit” nuk është argument politik. Është shënjestrim.

Nga “spiune” te “plumbi”

Arrestimi i një personi që dyshohet se përmendi “plumbin” në kërcënimin ndaj Gërvallës dhe Vudi Xhymshitit tregon se sa shpejt mund të rrëshqasë gjuha publike.

Grafiti, fotomontazhi dhe kërcënimi janë raste të ndara. Por përshkallëzimi është i dukshëm:

Së pari shkruhet “spiune”.

Pastaj shpërndahet akuza “tradhtare e kombit”.

Në fund përmendet “plumbi”.

Kur një person paraqitet vazhdimisht si tradhtar, spiun dhe armik, individët ekstremë mund ta kuptojnë këtë si leje morale për kërcënim ose dhunë.

Përgjegjësia politike fillon shumë përpara se të shkrepet ndonjë armë. Ajo fillon me fjalën që e shndërron njeriun në shënjestër.

UÇK-ja nuk është instrument partiak

Aktgjykimi i Hagës trajtoi përgjegjësinë individuale të katër të akuzuarve. UÇK-ja nuk ishte në gjyq dhe lufta çlirimtare e Kosovës nuk mund të barazohet me veprimet për të cilat janë dënuar individë të caktuar në shkallën e parë.

Pikërisht për këtë arsye, emri i UÇK-së nuk duhet të përdoret për ta rrëzuar një qeveri, për ta heshtur një kundërshtar politik apo për ta shpallur dikë tradhtar.

UÇK-ja është pjesë e historisë kombëtare dhe nuk është pronë e asnjë partie, shoqate apo grupi ish-komandantësh.

Kundërshtimi i Speciales bëhet përmes apelit, ekspertëve, argumenteve dhe institucioneve – jo duke shkruar “spiune” në mure dhe duke ua vendosur kundërshtarëve flamurin serb pas shpine.

Sot shënjestra është Donika Gërvalla. Nesër mund të jetë një gazetar, një dëshmitar, një prokuror apo çdo qytetar që nuk pajtohet me zërin e turmës.

Kosova e ka paguar shumë shtrenjtë metodën që fillon me fjalët “spiun” dhe “tradhtar”. Nuk duhet të presë një tragjedi të re për ta kuptuar përsëri rrezikun.

“Ku je spiune?” nuk është vetëm një mbishkrim mbi mur.

Është një paralajmërim për shtetin dhe shoqërinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *