TË FUNDIT

“Nga arrestimet në Zubin Potok te ‘surprizat e tetorit’” – Ekspertët paralajmërojnë Kosovën për skenarët e Serbisë

Arrestimi i nëntë serbëve në Zubin Potok, të dyshuar për përfshirje në krime lufte, ka nxitur reagime të ashpra politike nga Beogradi.

Kryetari i SNS-së, Millosh Vuçeviç, e ka cilësuar aksionin si pjesë të një politike të “terrorit dhe frikësimit” ndaj serbëve në veri të Kosovës, duke drejtuar akuza të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Albin Kurti.

Reagimi i tij vjen në një kohë kur marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të karakterizohen nga tensione dhe përplasje të vazhdueshme politike.

Deklaratat nga Beogradi kanë ngritur pikëpyetje nëse arrestimet po shfrytëzohen edhe si instrument për ta forcuar narrativën politike të Serbisë për zhvillimet në veri.

Në këtë kuadër, shtrohet pyetja se çfarë fshihet pas reagimit të ashpër të Vuçeviçit dhe nëse deklaratat e tij mund të ndikojnë në rritjen e mëtejshme të tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Serbia është në mes të fushatës zgjedhore, ndërsa qeveria e Vuçiqit po përballet me presion serioz të brendshëm – çdo incident në Kosovë është një mundësi e mirë për regjimin”

Reagimi i ashpër i autoriteteve serbe pas arrestimit të nëntë serbëve në Zubin Potok nuk është befasues për profesorin dhe analistin politik Florian Bieber.

Sipas tij, qëndrimi i Beogradit për zhvillimet në Kosovë është pjesë e një reagimi të përsëritur të autoriteteve serbe, ndërsa situata e brendshme politike në Serbi i jep këtij reagimi një dimension të veçantë.

Bieber në një prononcim për “Bota sot” vlerësoi se Serbia ndodhet në mes të fushatës zgjedhore dhe se qeveria e presidentit Aleksandar Vuçiq po përballet me presion të madh të brendshëm. Në këto rrethana, sipas tij, retorika nacionaliste mund të shërbejë për të zhvendosur vëmendjen nga problemet e brendshme.

ImageFlorian Bieber. Foto galeri
“Kjo vështirë se është befasuese. Së pari, ky është reagimi i zakonshëm i autoriteteve serbe”, ka deklaruar Bieber për “Bota sot”.

Ai thekson se zhvillimet e fundit duhet të shihen edhe në kontekstin politik të Serbisë, e cila aktualisht ndodhet në një periudhë fushate zgjedhore.

“Për më tepër, Serbia është në mes të fushatës zgjedhore dhe qeveria e Vuçiqit po përballet me presion serioz të brendshëm”, shprehet ai.

Sipas Bieberit, pikërisht kjo situatë mund të ndikojë në mënyrën se si autoritetet serbe reagojnë ndaj zhvillimeve në Kosovë, duke përdorur mesazhe që synojnë të forcojnë narrativën nacionaliste.

“Prandaj, nuk është befasi nëse ajo kërkon të largojë vëmendjen dhe të amplifikojë mesazhet nacionaliste”, thotë Bieber.

Në këtë kontekst, ai e sheh çdo incident të ri në Kosovë si një mundësi që mund të shfrytëzohet politikisht nga pushteti në Beograd.

“Duke pasur parasysh këto rrethana, çdo incident në Kosovë është kështu një mundësi e mirë për regjimin”, përfundon Florian Bieber për “Bota sot”.

“23 mbetje njerëzore nuk janë propagandë, ato kërkojnë përgjigje – hapni arkivat, identifikoni viktimat dhe sillni të zhdukurit te familjet e tyre”

Arrestimi i nëntë serbëve në Zubin Potok, zbulimi i mbetjeve njerëzore dhe reagimet e ashpra nga Beogradi duhet të shihen në një kontekst më të gjerë, që përfshin si krimet dhe personat e zhdukur nga lufta e Kosovës, ashtu edhe zhvillimet politike në Serbi. Kështu deklaron për “Bota sot” kryetari i Austrian Committee for NATO Enlargement, Günther Fehlinger-Jahn.

Ai vlerëson se situata politike në Serbi, në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit, e bën veçanërisht të rëndësishëm kontekstin në të cilin po zhvillohen reagimet e Beogradit ndaj Kosovës.

ImageGünther Fehlinger-Jahn.Foto galeri
Sipas tij, Kosova duhet të jetë politikisht dhe institucionalisht e përgatitur për zhvillime të papritura gjatë javëve të fundit të fushatës zgjedhore. Fehlinger-Jahn thekson se nuk pretendon të ketë prova për ndonjë operacion të planifikuar nga Beogradi, por paralajmëron se çdo përshkallëzim i papritur duhet të shqyrtohet edhe në dritën e situatës së brendshme politike në Serbi.

“Arrestimet në Zubin Potok, zbulimi i mbetjeve njerëzore dhe reagimi agresiv nga Beogradi duhet të kuptohen në kontekstin e dy realiteteve të pazgjidhura: krimeve dhe personave të zhdukur nga lufta e Kosovës e viteve 1998–99, si dhe krizës politike të Serbisë në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit 2026”, deklaron Fehlinger-Jahn.

Ai ndalet edhe te zhvillimet politike në Serbi, duke theksuar se Aleksandar Vuçiq ka dhënë dorëheqje nga posti i presidentit më 27 shtator dhe po synon rikthimin në pushtetin ekzekutiv si kryeministër.

Sipas tij, Vuçiq ka dominuar politikën serbe si president ose kryeministër për rreth dymbëdhjetë vjet, ndërsa vendi tashmë po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas afro dy vitesh protestash të udhëhequra nga studentët.

“Ky kontekst zgjedhor ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe”, shprehet ai.

Fehlinger-Jahn thotë se Kosova duhet të përgatitet për atë që në terminologjinë politike njihet si “surprizat e tetorit”, pra zhvillime dramatike që ndodhin pak para zgjedhjeve dhe që mund ta ndryshojnë papritur agjendën politike.

“Besoj se Kosova duhet të përgatitet politikisht dhe institucionalisht për ‘surprizat e tetorit’. Ky është një term i vendosur politik për zhvillime dramatike pak para zgjedhjeve, të cilat papritur ndryshojnë agjendën politike”, deklaron ai.

Megjithatë, Fehlinger-Jahn sqaron përsëri se nuk pretendon se ka prova për ndonjë operacion konkret të planifikuar tashmë nga Beogradi.

“Nuk po pretendoj se posedoj prova për një operacion specifik të planifikuar tashmë nga Beogradi. Po paralajmëroj se çdo përshkallëzim i papritur lidhur me Kosovën gjatë javëve të fundit para 25 tetorit duhet të shqyrtohet edhe në kontekstin e fushatës së brendshme zgjedhore të Serbisë”, thekson ai.

Sipas tij, Kosova ka qenë gjithmonë një prej temave më të fuqishme emocionalisht në politikën nacionaliste serbe. Ai i referohet edhe reagimeve të kreut të SNS-së, Millosh Vuçeviç, pas arrestimit të nëntë personave në Zubin Potok.

“Kur lideri i SNS-së, Millosh Vuçeviç, reagon ndaj arrestimeve në Zubin Potok duke folur për ‘terror’, ‘spastrim etnik’, ‘persekutim të hapur’ dhe akuza të fabrikuara për krime lufte, kjo retorikë nuk ndodh në vakum politik. Ajo po përdoret gjatë një fushate zgjedhore jashtëzakonisht të tensionuar në Serbi”, thotë Fehlinger-Jahn.

Mesazhi i tij, sipas tij, është i qartë: faktet nuk duhet të mbulohen nga retorika nacionaliste.

“Mos lejoni që retorika nacionaliste e fushatës zgjedhore t’i varrosë faktet”, deklaron ai.

Duke iu referuar aksionit “Dosja 23”, Fehlinger-Jahn thekson se më 27 shtator Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale njoftuan për arrestimin e nëntë personave nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile. Ai nënvizon se arrestimi nuk përbën dënim dhe se hetimet duhet të zhvillohen mbi bazën e provave.

“Një arrestim nuk është një dënim, por Serbia nuk mund ta shpallë një hetim për krime lufte të paligjshëm vetëm sepse të dyshuarit janë serbë”, shprehet ai.

Në vijim, Fehlinger-Jahn i kushton vëmendje të veçantë zbulimit të mbetjeve njerëzore në komunën e Zubin Potokut, të cilat, sipas autoriteteve të Kosovës, dyshohet se u përkasin së paku 23 personave të zhdukur gjatë luftës.

“23 grupe mbetjesh njerëzore nuk janë propagandë. Ato kërkojnë përgjigje”, thekson ai.

Ai kërkon nga Serbia bashkëpunim të plotë për zbardhjen e fatit të personave që vazhdojnë të figurojnë të zhdukur nga lufta e Kosovës.

“Serbia duhet të bashkëpunojë më në fund plotësisht për të zbardhur fatin e çdo personi që ende rezulton i zhdukur nga lufta e Kosovës”, thotë Fehlinger-Jahn, duke shtuar se duhet të gjendet çdo varr, të identifikohet çdo trup dhe të hapen arkivat përkatëse ushtarake, policore dhe të sigurisë.

Ai gjithashtu kërkon që të rindërtohet çdo transferim i trupave dhe që familjet të informohen për fatin e të afërmve të tyre.

“Çdo varr duhet të gjendet. Çdo trup duhet të identifikohet. Çdo arkiv relevant serb ushtarak, policor dhe i sigurisë duhet të hapet. Çdo transferim trupash duhet të rindërtohet. Çdo familje duhet të informohet se çfarë ka ndodhur me të dashurit e saj”, deklaron ai.

Fehlinger-Jahn propozon edhe krijimin e një Komisioni Kosovë–Serbi për të Vërtetën Historike, nën mbikëqyrje të fuqishme ndërkombëtare, me pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe institucioneve ndërkombëtare të mjekësisë ligjore.

“Komisioni duhet të ketë një mision: të vendosë të dhënat e plota faktike”, thotë ai.

Sipas tij, komisioni duhet të ketë qasje në arkiva dhe të shqyrtojë dokumentet ushtarake, materialet e Ministrisë së Brendshme, të dhënat e shërbimeve të inteligjencës dhe sigurisë, urdhrat e kohës së luftës, vendosjen e njësive, dëshmitë forenzike, vendndodhjet e varreve dhe strukturat komanduese që vepronin gjatë viteve 1998 dhe 1999.

“Duhet të dimë: Kush u zhduk? Kush u vra? Ku u vranë? Ku u varrosën fillimisht? Kush urdhëroi zhvendosjen e trupave? Kush i transportoi? Kush organizoi varrosjet sekrete? Kush e dinte për to? Cilat institucione fshehën informacionin më pas? Dhe ku ndodhen sot personat e zhdukur?”, pyet Fehlinger-Jahn.

Ai thotë se çdo viktimë, çdo varr, çdo zhdukje dhe çdo zinxhir përgjegjësie duhet të dokumentohet.

Duke iu referuar gjetjeve të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Fehlinger-Jahn thekson se fshehja e trupave të shqiptarëve të Kosovës në territorin e Serbisë është dokumentuar në vendime gjyqësore ndërkombëtare.

“Ne tashmë e dimë nga gjetjet gjyqësore ndërkombëtare se fshehja e trupave të shqiptarëve të Kosovës brenda Serbisë ishte reale dhe e organizuar”, deklaron ai.

Sipas tij, trupat e shqiptarëve të Kosovës të vrarë nga forcat serbe janë transportuar nga Kosova për t’u varrosur në mënyrë të fshehtë në Serbi, ndërsa përmend edhe rastet e Batajnicës, Petrovo Selos dhe zonës pranë liqenit të Peruçacit.

“Trupat u morën nga Kosova dhe u fshehën në territorin e Serbisë, përfshirë edhe në objekte të Ministrisë së Brendshme të Serbisë. Kjo nuk mund të harrohet. Kjo nuk mund të relativizohet. Dhe kjo nuk mund të mbetet një çështje e papërfunduar për një tjetër gjeneratë”, shprehet ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *