TË FUNDIT

“Nëse do të donin Thaçi e Veseli…”/ Pas vendimit të Hagës, rikthehen deklaratat e forta të Adem Salihajt për vrasjet politike

Pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, në vëmendje është rikthyer një intervistë televizive e ish-deputetit të LDK-së, Adem Salihaj, në të cilën ai kishte folur për vrasjet politike të pasluftës dhe kishte bërë akuza të drejtpërdrejta në lidhje me ish-drejtuesit e atëhershëm të strukturave politike e të sigurisë.

Në deklaratën e tij, Salihaj kishte përmendur në mënyrë të veçantë Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, duke pretenduar se, nëse ata do të kishin dashur, rastet e vrasjeve politike do të mund të zbardheshin shumë shpejt, transmeton “Bota sot”.

“Nuk ka logjikë prej gjithë këtyre rasteve të moszbardhet asnjëra, kjo ndodh vetëm pse këta urdhërdhënësit e tyre kanë qenë aq të fuqishëm pasluftës sa kanë kontrollu gjitha segmentet edhe policinë, edhe gjykatat edhe prokurorinë, dhe i vetmi shpjegim është ky që këta kanë qenë se këta i kanë mbrojtë. Së përndryshe, po të dojë Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli të gjitha këto vrasje zbardhen brenda 2-3 ditësh. Unë jam i bindur 100 për qind për këtë”.

Salihaj kishte ngritur akuza edhe për ndikimin që, sipas tij, strukturat e atëhershme kishin mbi institucionet e drejtësisë dhe të sigurisë, duke e lidhur këtë me faktin se shumë prej rasteve të vrasjeve politike të pasluftës mbetën të pazbardhura.

Ai kishte folur gjithashtu për një raport të NATO-s, për të cilin pretendonte se e përmendte atë si cak të një tentimvrasjeje që, sipas tij, lidhej me SHIK-un.

“Edhe një raport i NATO-s e përmend që kam qenë edhe unë cak i sulmit, tentimvrasjes nga SHIK-u. Raporti është i NATO-s, pra është zyrtar. Edhe unë nuk shoh logjikë tjetër, pasi kushdo që do t’i bënte këto vrasje do ishte zbulu shumë moti. Sepse nuk ka logjikë që gjithë këto vrasje të veprimtarëve politikë, jo spiunave të Serbisë, janë vrarë dhe nuk është zbardhur pothuajse asnjë rast”, tha mes tjerash Salihaj, përcjell “Bota sot”.

Deklaratat e ish-deputetit të LDK-së po rikthehen në vëmendje pas zhvillimeve të fundit në Hagë, duke rihapur diskutimin për vrasjet politike të pasluftës, përgjegjësitë e mundshme dhe arsyet pse një numër i madh i këtyre rasteve nuk janë zbardhur plotësisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *