OPINIONTË FUNDIT

Ndryshimet politike në Hungari, avokati shqiptar flet mbi balancat e reja dhe efektet në Kosovë

Zgjedhjet parlamentare në Hungari kanë shënuar një zhvillim të rëndësishëm politik, me udhëheqësin e partisë Tisza, Peter Magyar, që ka dalë fitues, duke sinjalizuar një ndryshim të mundshëm drejtimi në skenën politike të vendit.

Kryeministri në largim, Viktor Orban, pas 16 vitesh në pushtet dhe një dominimi të gjatë në politikën hungareze, e pranoi rezultatin e zgjedhjeve si “të qartë” dhe “të dhimbshëm”, duke uruar kundërshtarin dhe duke paralajmëruar një rol të ri në opozitë.

Ky ndryshim politik në Hungari hap debate të rëndësishme mbi drejtimin e ardhshëm të politikës së jashtme hungareze, veçanërisht ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe çështjeve të ndjeshme diplomatike. Një nga pyetjet kryesore që lind është se si ardhja e Peter Magyar në pushtet mund të ndikojë në qëndrimin e Hungarisë ndaj Kosovës, duke pasur parasysh qasjen e mëparshme më të rezervuar dhe shpesh pragmatike të qeverisë së Orbanit.

E për këtë çështje, për “Bota sot” foli avokati shqiptar, Spartak Ngjela, i cili u shpreh dyshues për atë se si mund të ndryshojnë politikat hungareze ndaj shtetit tonë.

Për këtë, ai theksoi se, të gjitha shtetet e BE kanë politika të jashtme të ngjashme, sidomos ndaj Kosovës.

“Nuk di ç’të them saktësisht. Duhet pritur për ta parë kur të filloje veprimtarinë me qeverinë që do drejtojë ai.

Por si rregull vendet e Bashkimit Evropian kanë të njëjtin qëndrim në politikën e jashtme, dhe sidomos per çështjen e Kosovës, pavarësia e së cilës ka ardhur me forcën e NATO-s kundër Serbisë”

Në këtë pikë, Ngjela për “Bota sot” ritheksoi një gjë të qartë: “NATO ka bombarduar Beogradin per çlirimin e Kosovës. Prandaj çdo mendim i kundërt me këtë, nuk mund të ndodhë sot”.

Kësisoj, mbetet për t’u parë nëse qeveria e re do të sjellë ndryshime në pozicionin e Hungarisë brenda Bashkimi Evropian për çështjen e Kosovës dhe për procesin e dialogut me Serbia, duke ndikuar potencialisht në balancat diplomatike dhe qasjen e përgjithshme të BE-së ndaj rajonit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *