TË FUNDIT

Ndërroi jetë Xhevat Prekazi, legjenda e futbollit

Ish-futbollisti i njohur i Partizanit të Beogradit dhe Galatasarajit, Xhevat Prekazi, ka ndërruar jetë në moshën 70-vjeçare.

Prekazi lindi më 18 gusht 1957 në Mitrovicë. Hapat e parë në futboll i bëri në klubin mitrovicas Remont, ku nisi të luante për ekipin e të rinjve në shkurt të vitit 1974. Me Remontin u shpall kampion i Kosovës për të rinj, ndërsa më pas mbrojti ngjyrat e përfaqësueses së Kosovës në garat e republikave jugosllave.

Më 7 dhjetor 1974 ai nënshkroi kontratë me Partizanin e Beogradit, ndërsa në pranverën e vitit 1976 u bë pjesë e ekipit të parë. Për Partizanin luajti deri në vitin 1983 dhe fitoi tre tituj kampionë të Jugosllavisë.

Karrierën e vazhdoi te Hajduku i Splitit, ndërsa në vitin 1985 u transferua te Galatasaraji i Stambollit, ku arriti kulmin e popullaritetit.

Gjatë karrierës në Turqi luajti edhe për Altayn dhe Bakırköysporin.

Vitet e fundit të jetës, Prekazi i kaloi në Beograd, ku jetonte prej dekadash me familjen e tij.

Në tetor të vitit 2023, ai përjetoi një sfidë të rëndë shëndetësore pasi pësoi një goditje në tru, nga e cila mori veten pas trajtimit intensiv mjekësor në Beograd. Prekazi do të mbahet mend si një prej mesfushorëve më specifikë dhe më me talent të brezit të tij, i njohur sidomos për gjuajtjet e fuqishme dhe precize nga distanca.(INA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *