Nagavci: LVV do president jopartiak, Osmani për “gjynah”
Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon të insistojë në idenë që presidenti i ardhshëm i Kosovës të jetë figurë jopartiake dhe konsensuale, duke e konsideruar këtë si zgjidhjen më të përshtatshme për rolin unifikues që parasheh Kushtetuta.
Anëtarja e Kryesisë së kësaj partie, Arbërie Nagavci, tha në “Intervista Zgjedhore” të KosovaPress, se subjekti i drejtuar nga Albin Kurti do të angazhohet edhe pas votimeve parlamentare të 7 qershorit, për zgjedhjen sa më të shpejtë të presidentit ose presidentes së vendit, duke favorizuar një figurë që nuk vjen nga partitë politike.
Kandidatja për deputete dhe ish ministrja e arsimit në qeverinë Kurti 2, thekson se LVV-ja synon që menjëherë pas konstituimit të Kuvendit të krijohen kushtet për zgjedhjen e shefit të shtetit, duke shtuar se partia do të angazhohet maksimalisht për arritjen e një konsensusi politik.
LVV do të insistojë sërish në zgjedhjen e një presidenti jopartiak dhe konsensual
“Ne besojmë që do të kemi një president, presidente konsensuale. Idealja do të ishte të vinte nga, domethënë jashtë partive. Tani unë nuk mund të flas sot për insistim, unë jam e bindur, e sigurt që ne përsëri do të bëjmë gjithçka që është në mandatin tonë që të zgjedhim sa më parë që është e mundur presidentin ose presidenten e vendit, sapo të votohet Kuvendi, domethënë të krijohet hapësira për zgjedhjen e presidentit apo presidentes. Edhe gjithë kjo situatë, jo vetëm gjatë kohës së fundit, por edhe në legjislaturat ose nga presidentët e kaluar, e bën të qartë që idealja do të ishte që të kemi një president apo presidente e cila nuk vjen nga subjektet, nga forcat politike, për shkak edhe të rolit që i jep detyrës, përgjegjësisë që jep Kushtetuta, ku tregon që presidenti, presidentja e vendit duhet të jetë një person që është mbi palët, person unifikues”, thotë ajo.
Pas shkuarjes së vendit në zgjedhje të reja si pasojë e dështimit të zgjedhjes së presidentit muajin e kaluar, ish e para e vendit, Vjosa Osmani, tashmë si bartëse e listës elektorale të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka ashpërsuar gjuhën ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Sipas Nagavcit, qasja e Osmanit tregon një mllef personal të saj, ndërsa shton se është e dhimbshme të shihet qysh një presidente, sipas saj, flet të pavërteta.
Nagavci për Osmanin: Është e dhimbshme të shohësh në këtë gjendje një ish-presidente
“Mendoj që është shumë e dëmshme për vendin tonë. E konsideroj personalisht shumë të dhimbshme të shoh një ish-presidente të vendit e cila për interesa personale në kohë fushate flet gjysmë të vërteta, të pavërteta apo gjëra të tilla fare jo të përmenden, aq më shumë për faktin që nëse ka pasur njohuri të situatave të tilla është dashur t’i thotë në kohë. Mendoj që kjo nuk është një gjë e mirë për institucionin e presidencës, për presidenten. Është legjitime të garosh, ka shumë gjëra për të folur, mund të flasë për programin, mund të flasë për qeverisjen, mund të flasë për gjëra të cilat janë”, deklaron ajo.
Nagavci për KosovaPress foli edhe për polemikat e krijuara pas deklaratës së nënkryetarit të LVV-së, Glauk Konjufca, për temën “frizerkat”, duke thënë se ajo është nxjerrë nga konteksti për interesa politike dhe partiake dhe se nuk kishte aludim të ish kryetarit të Kuvendit për ish-presidenten Osmani.
“Frizerka”, Nagavci thotë se deklarata e Konjufcës u nxor nga konteksti
“Pjesët e shkëputura të intervistave edhe nxjerrja prej kontekstit e deklaratave për qëllime krejtësisht partiake politike, nuk na bëjnë mirë si shoqëri, sepse është dashur një punë shumë e madhe që të arrihet deri në një pikë kur ne kemi një mbështetje më shumë se asnjëherë përpara për vajzat dhe për gratë”, shton Nagavci.
Nagavci foli edhe për mënyrën e koordinimit të deputetëve të LVV-së dhe partnerëve të koalicionit gjatë legjislaturës së kaluar.
Ajo konfirmon ekzistimin e një grupi në ËhatsApp për koordinimin e punës në Kuvend, duke shtuar se kjo praktikë është përdorur për të shmangur dështimin e votimeve në mungesë të deputetëve në sallë, ose në mbledhje të komisioneve.
Nagavci tregon a ka urdhra për deputet se di të votojnë, në “Grupin e WhatsApp”
“Lëvizja edhe bashkë me partnerët e vet, ne kemi pasur 66 deputetë dhe në mbledhjet e grupit parlamentar jo gjithmonë kanë marrë pjesë të gjithë deputetët. Dhe ka qenë kërkesë edhe e vetë deputetëve që gjatë votimit të rikujtohen secili çka ka qenë dakordimi në grup. Para çdo seance ne kemi pasur mbledhje të grupit edhe ai ka qenë qëndrim i grupit. Edhe unë jam kujdesur maksimalisht që të mos vijmë në situatë që për shkak se një deputet mund të mos ketë qenë i pranishëm në mbledhje, ose për shkak se një deputet nuk ka qenë i pranishëm në sallë, të dështojë votimi… Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe partnerëve tanë të Guxo dhe Alternativa janë pjesë e grupit në WhatsApp. Ndërkohë që grupi i deputetëve të komuniteteve joshumicë, jo serbe, kanë pasur udhëheqësin e tyre, deputetin Artan Asllani, me të cilin unë kam komunikuar në vazhdimësi”, deklaron Nagavci.
Ndërkaq, duke komentuar rolin e Dejona Mihali në Vetëvendosje, Nagavci thotë se ajo kontribuon në hartimin e politikave dhe konsultimeve të brendshme.
Kandidatja për deputete mohon të ketë dijeni që Mihali shkruan fjalime për deputetët, por thekson se përvoja dhe angazhimi i saj brenda LVV-së e bëjnë një prej adresave kryesore për konsultime politike dhe legjislative.
A i shkruan Dejona Mihali fjalimet e Kurtit e deptuetëve? “Unë nuk e di se i shkruan”
“Unë kam bashkëpunim të shkëlqyeshëm, të jashtëzakonshëm me Dejona Mihalin. Siç e thatë edhe ju, ajo është koordinatore e komiteteve profesionale. Në Lëvizjen Vetëvendosje çdo projektligj, çdo vendim, çdo politikë që iniciohet, paraprakisht diskutohet në komitetet profesionale… Pastaj, koordinatorja e komiteteve, në këtë rast zonja Dejona Mihali, e cila i koordinon këto komitete, u ndan rekomandimet, reflektime të ndryshme për politika të ndryshme me palët me interes, qofshin këta deputetë individualë ose të tjerë. Unë nuk di se shkruan fjalime, por natyrisht ajo është për një kohë shumë të gjatë në lëvizje, është tejet e angazhuar dhe e përkushtuar, dhe nëse dikush ka nevojë për një konsultim për një temë të caktuar, unë vetë si deputete nëse kam pasur nevojë për një projektligj të caktuar të legjislaturës, dy legjislaturave, tre legjislaturave më përpara, adresa ime e parë ka qenë koordinatorja e komiteteve”, përfundon Nagavci.
