MPB: Rritet interesimi për armë me leje në vend, mbi 20 mijë kërkesa për një vit e gjysmë
Interesimi i qytetarëve për t’u pajisur me leje për armë po shënon rritje. Mbi 20 mijë kërkesa janë paraqitur dhe shqyrtuar nga Ministria e Punëve të Brendshme vetëm brenda 18 muajve, por më pak se gjysma e tyre kanë marrë miratimin përkatës. Sipas të dhënave të MPB-së, rreth 9 mijë kërkesa kanë përfunduar me përgjigje pozitive.
“Gjatë 18 muajve të fundit, Ministria e Punëve të Brendshme ka vepruar intensivisht lidhur me kërkesat për lëshimin e lejeve për blerjen e armëve. Janë shqyrtuar rreth 20.000 kërkesa, nga të cilat mbi 9.000 janë miratuar, duke kontribuar kështu në një trajtim më efikas administrativ dhe në realizimin në kohë te të drejtave të qytetarëve”, thonë nga MPB.
• Gjatë 18 muajve të fundit, MPB-ja ka shqyrtuar rreth 20.000 kërkesa për leje për armë• Mbi 9 mijë kërkesa kanë marrë përgjigje pozitive.
Vetëm këtë vit janë paraqitur rreth 8 mijë kërkesa. Nga MPB theksojnë se pjesa më e madhe e aplikimeve ka qenë për leje për armë gjahu.
“Gjatë vitit 2026, në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë paraqitur rreth 8.000 kërkesa për marrjen e lejes për posedimin e armëve. Interesi më i madh i qytetarëve është për leje për posedimin e armëve të gjuetisë. Krahasuar me vitet paraprake, është vërejtur një rritje e numrit të kërkesave të paraqitura”, shtuan nga MPB.
• Gjatë vitit 2026, rreth 8 mijë kërkesa për leje për posedimin e armëve• Interesimi më i madh i qytetarëve, për leje për armë gjahu.
Nga MPB thonë se gjatë kësaj periudhe kanë vepruar intensivisht për trajtimin e kërkesave, me qëllim përshpejtimin e procedurave administrative dhe realizimin në kohë të të drejtave të qytetarëve.
