MPB me kontrolle në objektet hotelierike dhe kazino – ndalohen disa persona dhe zbulohet organizimi i paligjshëm i lojërave të fatit
MPB Maqedoni njofton se gjatë fundjavës (17/18.10.2026), Departamenti i Policisë Kriminalistike, në bashkëveprim me sektorët e punëve të brendshme dhe në bashkërendim me shërbimet përkatëse të inspektimit, zhvilloi kontrolle në 66 objekte hotelierike dhe kazino, me ç’rast u konstatuan një sërë parregullsish. Gjatë kontrolleve, nëpunësit policorë identifikuan 38 persona, kontrolluan 61 persona dhe një automjet pasagjerësh, si dhe përcaktuan identitetin e 31 personave. "Gjatë kontrolleve, në një objekt është gjetur një person i cili ushtronte veprimtarinë e sigurimit pa licencë dhe pa kartë identifikimi, ndërsa në një tjetër është prishur rendi dhe qetësia publike. U shqiptuan tri gjoba për shkelje të Ligjit për Mbrojtjen nga Pirja e Duhanit". "Një person u ndalua për shkak të refuzimit për t’u identifikuar, ndërsa tre shtetas të huaj u ndaluan për shkak të qëndrimit të parregulluar në shtet. Në një objekt janë gjetur katër të mitur pas orës 24:00, ndërsa në dy objekte është konstatuar se u ishte shërbyer alkool të miturve". "Në rrugën pranë fshatit Mazhuçishtë, në rajonin e Prilepit, është ndaluar një person që drejtonte automjet nën ndikimin e alkoolit, me ç’rast janë matur 2,04 promilë alkool në gjak. Personi është privuar nga liria nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Drejtim i pakujdesshëm i automjetit”, sipas nenit 297-a të Kodit Penal". "Në kuadër të aktiviteteve, Njësia e Punëve të Brendshme në Kërçovë realizoi bastisje në një lokacion ku organizoheshin në mënyrë të paligjshme lojëra të fatit. Aty janë gjetur dy persona dhe janë sekuestruar sende që lidhen me rastin. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të vijojë kallëzimi përkatës". "Në kontrolle morën pjesë edhe Inspektorati Shtetëror i Tregut, Drejtoria e të Ardhurave Publike, Inspektorati Shtetëror i Punës, Drejtoria e Mbrojtjes dhe Shpëtimit, si dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, shërbimet e të cilave konstatuan parregullsi të lidhura me punëtorë të padeklaruar, ushtrim të veprimtarisë pa leje të nevojshme, mosdhënie të faturave fiskale, veprimtari të paregjistruar, qarkullim në deviza, si dhe mungesë në kushtet higjienike dhe mbrojtjen nga zjarri. Për këto shkelje janë ndërmarrë masat dhe sanksionet përkatëse". "MPB-ja do të vazhdojë kontrollet e intensifikuara dhe të bashkërenduara në objektet hotelierike dhe kazinotë, në bashkëpunim me institucionet kompetente, me qëllim zbulimin dhe sanksionimin e veprimeve të paligjshme, respektimin e vazhdueshëm të ligjeve dhe rritjen e sigurisë së qytetarëve", thonë nga MPB.
