MPB: Ligji i ri për armët nga janari i vitit 2027, maksimumi 10 armë me leje për person
Jo më shumë se dhjetë armë me leje për person. Ky është një nga ndryshimet kryesore që sjell Ligji i ri për armët, zbatimi i të cilit pritet të nisë në janar të vitit 2027.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, kufizimi nuk do të vlejë për sportistët aktivë të qitjes që marrin pjesë në gara dhe i plotësojnë kushtet ligjore për të poseduar më shumë armë. Ndërkaq, qytetarët që tashmë kanë më shumë se dhjetë armë me leje, do të kenë një vit afat kohor për t’u përshtatur me rregullat e reja. Ata do të mund t’i dorëzojnë ose çaktivizojnë armët e tepërta, ose të aplikojnë për leje për koleksionistë.
“Me ligjin e ri parashikohet kufizimi i numrit të armëve që mund të posedojnë personat fizikë. Një person fizik mund të posedojë maksimumi dhjetë armë me leje për armë, me përjashtim të sportistëve aktivë të qitjes që marrin pjesë në gara dhe i plotësojnë kushtet e përcaktuara me ligj”, thanë nga MPB.
• Kufizimi i numrit të armëve që mund të posedojë një person fizik.• Lejohet posedimi i maksimumi 10 armëve me leje për person.• Përjashtim bëjnë sportistët aktivë të qitjes që marrin pjesë në gara dhe i plotësojnë kushtet ligjore.
Një tjetër ndryshim është shkurtimi i afatit për vazhdimin e dokumenteve të armëve nga dhjetë në pesë vjet. Ligji parashikon gjithashtu kategorizim të ri të armëve, në përputhje me direktivën evropiane, si dhe kushte më të rrepta për ruajtjen e tyre. Qytetarët që aplikojnë për blerjen e armës do të duhet të dorëzojnë deklaratë nën përgjegjësi materiale dhe penale se kanë siguruar hapësirë të përshtatshme për ruajtjen e sigurt të saj.
Ndërkohë, sipas MPB-se, një mundësi tjetër që parashikohet është edhe legalizimi dhe dorëzimi vullnetar i armëve ilegale. Kjo procedurë do të mund të realizohet brenda një viti nga fillimi i zbatimit të ligjit, sipas kushteve të përcaktuara.
“Në dispozitat kalimtare dhe përfundimtare parashikohet dorëzimi vullnetar dhe legalizimi i armëve ilegale, sipas kushteve të përcaktuara me ligj. Për realizimin e kësaj procedure është paraparë afat prej një viti nga dita e fillimit të zbatimit të ligjit”, shtuan nga MPB.
• Dorëzimi vullnetar i armëve ilegale.• Legalizimi i armëve, sipas kushteve ligjore.• Afati: një vit nga zbatimi i ligjit.
Një tjetër risi është edhe digjitalizimi i procedurës për leje për armë, pasi kërkesat për autorizim për blerjen e armëve do të mund të paraqiten edhe në mënyrë elektronike.Sa i përket aksionit të fundit për dorëzimin vullnetar të armëve, të realizuar nga 4 qershori 2010 deri më 4 qershor 2011, sipas MPB-së, në të gjitha stacionet policore janë dorëzuar gjithsej 39 armë dhe 2.368 copë municion të kalibrave të ndryshëm.
Sipas MPB-së ende nuk ka një datë të caktuar se kur do të mund të nise një fushatë e re për dorëzimin e armëve ilegale, por thekson se nëse merret një vendim i tillë, qytetarët do të informohen me kohë.
