TË FUNDIT

Mos i fshihni thinjat: Parukieri i yjeve zbulon pesë mënyra që flokët e thinjur të duken luksozë, modernë dhe të kuruar

Kalimi drejt ngjyrës natyrale nuk nënkupton heqje dorë nga pamja glamuroze. Me teknikën e duhur, fijet e argjendta mund të bëhen elementi më tërheqës i modelit tuaj të flokëve

Gjithnjë e më shumë gra vendosin të heqin dorë nga ngjyrosja e vazhdueshme dhe të përqafojnë ngjyrën natyrale të flokëve. Megjithatë, sfida më e madhe nuk janë thinjat, por kontrasti ndërmjet rrënjëve natyrale dhe flokëve të ngjyrosur më parë.

Parukieri i njohur britanik, Adam Reed, shpjegon se nuk ekziston vetëm një mënyrë për të kaluar te flokët e thinjur. E rëndësishme është të gjendet zgjidhja që harmonizohet me nuancën e lëkurës, strukturën e flokëve dhe stilin personal.

Mos e realizoni transformimin brenda një dite

Nëse flokët janë ngjyrosur për vite me nuanca të errëta, kalimi drejt ngjyrës natyrale mund të kërkojë disa vizita te parukieri. Çelja e menjëhershme e ngjyrës mund t’i thajë dhe dëmtojë flokët.

Fijet e holla, më të çelëta dhe më të errëta, ndihmojnë në zbutjen e kontrastit, ndërsa një prerje e përshtatshme e bën transformimin të duket i qëllimshëm dhe elegant.

1. Fije të argjendta rreth fytyrës

Nëse thinjat shfaqen fillimisht në tëmtha dhe përgjatë vijës së ballit, mos u përpiqni menjëherë t’i mbuloni.

Ato mund të krijojnë një kornizë mbresëlënëse rreth fytyrës, veçanërisht kur pjesa tjetër e flokëve mbetet më e errët.

Ky kontrast është prej vitesh tipar dallues i stilistes Stacy London, ndërsa fije të ngjashme të argjendta ka shfaqur edhe Salma Hayek.

2. Harmonia e nuancave natyrale

Andie MacDowell ka dëshmuar se flokët e thinjur nuk duhet të kenë ngjyrë uniforme për të rrezatuar elegancë. Flokët e saj ndërthurin nuancat e argjendta me ato të errëta, duke u dhënë kaçurrelave thellësi dhe volum vizual.

Ky stil u përshtatet veçanërisht grave me flokë natyralisht të valëzuar ose kaçurrelë.

Pikërisht ndryshimet natyrale ndërmjet nuancave krijojnë përshtypjen e flokëve më të dendur, dinamikë dhe interesantë.

3. Kombinimi modern “kripë dhe piper”

Ndërthurja e flokëve të errët me fijet e argjendta mund të krijojë një pamje jashtëzakonisht bashkëkohore.

Nuancat e çelëta tërheqin vëmendjen drejt syve, ndërsa baza e errët ruan thellësinë dhe volumin vizual.

Ky stil është ideal për gratë që ende nuk i kanë flokët plotësisht të thinjur. Në vend të mbulimit të çdo fijeje të argjendtë, ngjyra ekzistuese përshtatet me shpërndarjen natyrale të thinjave, duke lehtësuar edhe mirëmbajtjen.

4. Flokë të gjatë në nuanca argjendi

Thinjat nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht shkurtimin e flokëve. Sarah Harris dëshmon se flokët e gjatë të argjendtë mund të duken luksozë, elegantë dhe modernë.

Te modelet e gjata rëndësi të veçantë ka ndërthurja e nuancave, e cila krijon përshtypjen e lëvizjes dhe gjallërisë.

Veçanërisht tërheqëse janë fijet në nuancën “greige”, një kombinim i grisë me ngjyrën bezhë, që zbut kalimin ndërmjet flokëve të ngjyrosur dhe rrënjëve natyrale.

5. Flokë të bardhë dhe të argjendtë me shkëlqim

Helen Mirren dëshmon prej vitesh se flokët e bardhë mund të jenë sinonim i glamurit, sidomos kur shoqërohen me një prerje precize.

Shkëlqimi dhe hidratimi janë vendimtarë. Rekomandohen produkte ushqyese, mbrojtje nga nxehtësia dhe trajtime periodike për rikthimin e shkëlqimit.

Nuk duhet tepruar me shamponët vjollcë, sepse përdorimi i shpeshtë mund t’u japë flokëve një nuancë të padëshiruar dhe pamje pa shkëlqim.

Thinjat nuk ju plakin, flokët e pakuruar mund ta bëjnë këtë

Flokët natyralisht të thinjur nuk ju bëjnë automatikisht të dukeni më të moshuara. Ndikim më të madh mund të kenë prerja e papërshtatshme, majat e thata dhe mungesa e shkëlqimit.

Qëllimi nuk është që të gjitha thinjat të duken njësoj, por që ato të bëhen pjesë e identitetit dhe elegancës suaj, në vend që të mbeten diçka që përpiqeni vazhdimisht ta fshihni. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *