Momente dramatike në ring! Komentatori habitet: Gjyqtar, çfarë po bën? A po tallesh?!
Bota e boksit nuk po ndalet së komentuari fundin kaotik të supermeçit mes Oleksandr Usyk dhe Rico Verhoeven, i cili në një moment u shndërrua në një skandal të madh dhe hapi debat të ashpër nëse vendimi i gjyqtarit ndikoi drejtpërdrejt te fituesi.
Ndërsa disa festojnë fitoren e Usyk me nokaut teknik, të tjerë janë të bindur se holandezi u dëmtua rëndë dhe iu mohua një mundësi historike.
Në natën plot tension në Giza të Egjiptit, Verhoeven dukej dominues dhe kishte kontroll mbi rrjedhën e meçit, ndërsa Usyk u detyrua disa herë të dilte nga situata të vështira dhe të “mbijetonte” ndaj sulmeve të njërit prej kickboksierëve më të mirë të të gjitha kohërave.
Megjithatë, gjithçka ndryshoi në mënyrë dramatike në rundin e 11-të.
Në momentin kur shumë analistë mendonin se Verhoeven ishte një hap larg një fitoreje të madhe, Usyk goditi me një aperkat të fuqishëm, duke e rrëzuar rivalin në dysheme. Gjyqtari fillimisht e lejoi holandezin të rikuperohej dhe të vendoste mbrojtësen e dhëmbëve, gjë që menjëherë nxiti reagime dhe dyshime për vendimet në ring.
Megjithatë, vetëm pak çaste më vonë erdhi shoku. Vetëm një sekondë para ziles së fundit të rundit, gjyqtari e ndërpreu meçin dhe shpalli Usyk fitues me nokaut teknik, duke lënë publikun në mosbesim të plotë.
“Çfarë po bën, gjyqtar? Po çfarë po bën?! A po tallesh?!” – bërtiste komentatori amerikan gjatë transmetimit, ndërsa rrjetet sociale shpërthyen me akuza dhe teori për një “vjedhje sportive”.
Edhe vetë Verhoeven mbeti i shtangur nga vendimi i gjyqtarit, duke e pasur të vështirë të gjente fjalët pas asaj që shumëkush e konsideron si një nga ndërprerjet më kontroverse në historinë e sportit.
“Mendoj se ndërprerja ishte e parakohshme. Ishim në fund të rundit. Duhej të më lejonin të luftoja deri në fund ose të prisnin zilen”, tha holandezi i zhgënjyer, i cili ishte pranë një arritjeje historike, të bëhej një nga luftëtarët e rrallë që fiton titull bote në boks vetëm në meçin e dytë profesional.
