MMPT alarmon ndërkombëtarët: Mickoski e quajti arsimin e lartë shqip “implant”, bie ndesh me Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Ohrit
Nisma qytetare Më Mirë Për Tetovën (MMPT) sot ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit, Hristijan Mickoski se kushtetuta nuk e lejon arsimin e lartë në gjuhë tjetër përpos gjuhës maqedonase.
Nga Më Mirë Për Tetovën për këtë u ka dërguar një letër ambasadave të BE-së dhe shteteve anëtare të saj në Shkup, ambasadës së SHBA-ve, Mbretërisë së Bashkuar, Norvegjisë dhe të Zvicrës, Misionit të OSBE-së në Shkup dhe Komisionerit të Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare.
MMPT në reagim citon deklaratën e Kryeministrit ku thonë se Më 26 nëntor 2026, nga foltorja e Kuvendit, Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi:
"Nëse e lexoni mirë Kushtetutën, do të shihni se arsimi i lartë nuk mund të jetë në gjuhë tjetër përveç maqedonishtes. Që ligji është i tillë dhe që të gjithë ne kemi një implant të tillë, kjo është temë tjetër. […] Sepse në gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja mund të kemi arsim fillor dhe të mesëm, jo edhe të lartë". Ai pranoi se ligji e parasheh arsimin e lartë në gjuhën shqipe dhe e quajti këtë "implant".
Nga MMPT thonë se ky pohim është i pavërtetë.
"Nuk është çështje interpretimi. Ai bie ndesh me tekstin e Kushtetutës, me ligjet në fuqi dhe me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, mbi të cilën mbështetet rendi kushtetues i vendit që nga viti 2001", thonë nga MMPT.
Nga MMPT thonë se sipas Marrëveshjes së Ohrit Pika 6.2 shteti obligohet të financojë arsimin universitar në gjuhët që i flasin së paku 20% e popullsisë.
"Neni 144 i Ligjit për arsimin e lartë e përsërit këtë detyrim pothuajse fjalë për fjalë. Marrëveshja i dha fund konfliktit të armatosur të vitit 2001 dhe u lidh me mbështetjen e Bashkimit Evropian, të Shteteve të Bashkuara, të NATO-s dhe të OSBE-së", shtojnë nga atje.
Në reagimin e MMPT-së thuhet gjithashtu se kjo deklaratë nuk është e vetme ku citojnë deklaratat si: refuzimi që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe; vendimi që pjesa praktike e tij të mbahet vetëm në gjuhën maqedonase; një ligj i ri për arsimin e lartë, që tani është në Kuvend./Telegrafi/
