TË FUNDIT

Ministria hap sezonin e gjuetisë 2026-2027: kushte të reja, mbikëqyrje e shtuar dhe thirrje për përgjegjshmëri

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka marrë vendim për hapjen e sezonit të gjuetisë 2026–2027, i cili nis më 25 tetor 2026. Vendimi është marrë bazuar në legjislacionin në fuqi dhe në vlerësimin profesional të Departamentit Qendror të Inspekcionit për Pylltari dhe Gjueti.

Sipas Ministrisë, hapja e sezonit synon të mundësojë menaxhimin e kontrolluar të kafshëve të egra, ruajtjen e biodiversitetit dhe mbrojtjen e interesit publik. Në vendimmarrje janë marrë parasysh nevoja për ruajtjen e ekuilibrit natyror, mbrojtja e habitateve, si dhe shqetësimet që lidhen me dëmet që kafshët e egra mund t’u shkaktojnë kulturave bujqësore dhe pronave të qytetarëve.

Vendimi parashikon që aktivitetet e gjuetisë mund të organizohen vetëm nga menaxherët e vendgjuetive që kanë plane të miratuara dhjetëvjeçare dhe vjetore të menaxhimit. Gjuetia lejohet vetëm për llojet e caktuara të kafshëve dhe shpezëve të egra, në përputhje me kalendarin e gjuetisë dhe dispozitat për mbrojtjen e llojeve të egra.

Ministria thekson se mungesa e kontrollit mbi aktivitetet e gjuetisë mund të rrezikojë llojet e egra, të dëmtojë ekosistemet dhe të cenojë sigurinë e qytetarëve. Prandaj, hapja e sezonit shoqërohet me kushte dhe kufizime të përcaktuara ligjore, me qëllim parandalimin e gjuetisë së paligjshme dhe shfrytëzimit të pakontrolluar të faunës.

Fokus në siguri dhe llojet e mbrojtura

Vëmendje e veçantë, sipas njoftimit, do t’i kushtohet respektimit të kufizimeve ligjore, mbrojtjes së llojeve të mbrojtura, sigurisë gjatë përdorimit të armëve dhe përgjegjësisë së menaxherëve të vendgjuetive.

Mbikëqyrja e zbatimit të vendimit do të bëhet nga strukturat përgjegjëse të Ministrisë, Departamenti Qendror i Inspekcionit për Pylltari dhe Gjueti si dhe nga institucionet e tjera kompetente.

Në përfundim, Ministria u bën thirrje të gjithë gjuetarëve dhe menaxherëve të vendgjuetive që të respektojnë rregullat dhe të bashkëpunojnë me organet mbikëqyrëse. /KosovaNews/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *