POLITIKATË FUNDIT

Mickoski nga Berlini: Maqedoninë e Veriut e pret një dimër i vështirë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka paralajmëruar se vendin dhe Evropën i pret një dimër i vështirë, për shkak të sfidave të shumta globale dhe situatës së ndërlikuar të sigurisë në botë.

Mickoski i bëri këto deklarata në Berlin, pas një aktiviteti të organizuar nga kancelari gjerman Friedrich Merz, ku në fokus ishin sfidat globale dhe zhvillimet e sigurisë ndërkombëtare.

Në këtë takim morën pjesë edhe të dërguarit e posaçëm amerikanë për negociatat lidhur me Ukrainën, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, ndërsa përmes telefonit u kyç edhe presidenti amerikan Donald Trump.

Sipas Mickoskit, Trump i informoi pjesëmarrësit për takimet e tij me presidentët e Rusisë dhe Kinës.

Kreu i qeverisë maqedonase vlerësoi se është e rëndësishme që Maqedonia e Veriut të jetë pjesë e diskutimeve ndërkombëtare dhe të kontribuojë në përpjekjet për tejkalimin e sfidave globale.

„Na pret një dimër i vështirë, një dimër i vështirë në të gjithë Evropën dhe gjithashtu në Maqedoni. Ajo që është e rëndësishme është se po punojmë që qytetarët ta kalojnë këtë dimër në kushte normale, pavarësisht sfidave në botë”, deklaroi Mickoski.

Ai shkoi edhe më tej, duke e përshkruar situatën aktuale ndërkombëtare si një luftë të tretë botërore të heshtur.

„Do të thosha se sot në botë po zhvillohet një luftë e tretë botërore e heshtur. Megjithatë, ne arrijmë të gjejmë mënyra dhe të krijojmë strategji për të lehtësuar standardin jetësor të qytetarëve maqedonas”, u shpreh Mickoski. (INA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *