Mezani flet pas emërimit te Drenica: Objektivi ynë është vetëm mbijetesa
KF Drenica ka nisur një kapitull të ri në përpjekjen për ta siguruar mbijetesën në elitën e futbollit kosovar, ndërsa në krye të skuadrës është emëruar trajneri Gentian Mezani.
Skuadra nga Skenderaj, e cila aktualisht renditet në vendin e tetë me 11 pikë të grumbulluara, synon të përmirësojë rezultatet dhe të krijojë sigurinë e nevojshme për të mbetur pjesë e Superligës edhe në edicionin e ardhshëm.
Mezani vjen në këtë pozitë me synimin për ta përballuar një sfidë të re në karrierën e tij, ndërsa pritshmëritë e drejtuesve të klubit janë të qarta: sigurimi i mbijetesës.
Trajneri Mezuni, në një intervistë për Telegrafin, ka folur për arsyet që e shtynë ta pranonte ofertën e Drenicës, objektivat e skuadrës, vlerësimin për punën e trajnerit të mëparshëm, por edhe rëndësinë e mbështetjes së tifozëve në këtë rrugëtim.
“Arsyeja kryesore është se këtë punë e bëj me shumë pasion dhe nuk mund të qëndroj larg fushave të futbollit. Këtë mundësi, kësaj radhe, ma ofroi kryesia e Drenicës”, tha fillimisht Mezani për Telegrafin.
Sa i përket objektivave, Mezani ka bërë të qartë se në këtë fazë nuk ka hapësirë për synime të tjera përveç sigurimit të mbijetesës në Superligë.
“Objektivi që ka vendosur kryesia është qëndrimi në Superligë, për të cilin ne do ta bëjmë të pamundurën që ta arrijmë”, theksoi trajneri nga Shqipëria.
Duke folur për situatën aktuale të skuadrës dhe 11 pikët e grumbulluara deri më tani, Mezuni ka vlerësuar edhe punën e paraardhësit të tij.
“11 pikë nuk janë shumë, por as pak. Për këtë dua ta falënderoj edhe trajnerin e mëparshëm, pasi ka bërë një punë të mirë”, u shpreh Mezuni.
Ai ka shtuar se skuadra fillimisht duhet të përqendrohet në ndeshjet e radhës dhe në grumbullimin e pikëve, ndërsa më vonë mund të shqyrtohen edhe objektiva të tjera.
“Objektivi ynë për momentin është vetëm mbijetesa dhe nuk mund të vendosim një objektiv tjetër. Megjithatë, duke i marrë ndeshjet një nga një, do të shikojmë mundësinë për të grumbulluar sa më shumë pikë. Më pas do të jemi në gjendje të vendosim nëse mund ta ndryshojmë objektivin apo jo”, deklaroi ai.
Në fund, trajneri i Drenicës ka dërguar një mesazh për tifozët, duke kërkuar përkrahjen e tyre në këtë rrugëtim drejt realizimit të objektivit.
“Unë personalisht mund t'u them vetëm se kjo skuadër ka shumë nevojë për ta. Duhet të na mbështesin sa më shumë, duke na dhënë forcë për ta bërë objektivin të arritshëm, pasi mbështetja e tyre është energji për ne”, përfundoi Mezani. /Telegrafi/
