TË FUNDIT

Mexhiti: Sheshi Skënderbeu sot frymon kuqezi

Kryetari i Komunës së Çairit dhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, ka ndarë pamje dhe emocione nga manifestimi qendror për nder të Ditës së Flamurit në Shkup, duke theksuar se sot sheshi “Skënderbeu” frymoi kuqezi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Mexhiti u shpreh se në një atmosferë të jashtëzakonshme festive, mes flamujve, këngëve shqipe, gëzimit dhe krenarisë kombëtare, u festua së bashku 28 Nëntori dhe 20-vjetori i vendosjes së shtatores së Skënderbeut në kryeqytet.

Ai falënderoi artistët që e bënë këtë përvjetor edhe më të veçantë me interpretimet e tyre, duke veçuar këngëtaren Edona Llalloshi, si dhe interpretimin artistik të Çun Lajçit dhe Pajazit Murtishit.

“Njëzet vjet më parë, e festuam 28 Nëntorin duke i dhënë Shkupit Skënderbeun. Sot, e festojmë me krenarinë e asaj që kemi arritur dhe me vendosmërinë për atë që ende kemi për të arritur,” ka shkruar Mexhiti.

Në fund, ai uroi 28 Nëntorin për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, si dhe 20-vjetorin e vendosjes së shtatores së Skënderbeut në Shkup. (INA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *