Mësimi i vyer pas katër divorceve: Jennifer Lopez zbulon ku gaboi më së shumti në dashuri dhe si e sheh sot zgjedhjen e partnerit
Pas tetë lidhjeve të rëndësishme, gjashtë fejesave dhe katër divorceve, ylli botëror ka kuptuar se çfarë nuk duhet të kërkojmë kurrë te një partner
Jennifer Lopez, një nga yjet më të mëdha të skenës botërore, në moshën 57-vjeçare ka arritur të kuptojë se çfarë ka vërtet rëndësi në marrëdhëniet romantike.
Këngëtarja dhe aktorja e famshme pranon hapur se iu deshën shumë vite për të kuptuar disa të vërteta thelbësore rreth dashurisë. Për një kohë të gjatë besonte se martesa ishte zgjidhja për gjithçka dhe se kërkimi i partnerit duhej të ishte në qendër të jetës së saj.
Mirëpo, pas divorcit të dhimbshëm nga aktori Ben Affleck, ajo kuptoi se ku kishte gabuar ndër vite.
Sot, nga perspektiva e përvojës, Lopez këshillon gratë të mos nxitohen në dashuri dhe të mos kërkojnë te dikush tjetër atë që duhet ta ndërtojnë brenda vetes.
Mos vraponi pas dashurisë, mësoni ta shijoni jetën
Ylli i muzikës pranoi se në rini nuk e kishte pjekurinë që ka sot dhe se shpesh merrte vendime impulsive, duke besuar se i nevojitej një partner për t’u ndier e plotësuar.
“M’u desh shumë kohë për ta mësuar këtë. Nuk po flas si dikush që i ka kuptuar gjithmonë këto gjëra. Për një kohë të gjatë as vetë nuk i kuptoja. Prandaj, për mua është e rëndësishme ta ndaj këtë përvojë sa herë që më jepet mundësia”, rrëfeu ajo.
Lopez shpjegon se njerëzit shpesh harxhojnë gjithë energjinë duke kërkuar me ngulm një partner, ndërkohë që harrojnë se jetën e tyre mund ta mbushin me gëzim, pasione dhe përvoja të bukura.
Gjatë një bisede në podkastin “Making Space” me Hoda Kotb, ajo tregoi se jeta pa partner aktualisht i sjell qetësi të madhe.
“Jam më e lumtur se në vitet e fundit, qëkur jam vetëm. Me kalimin e kohës kupton se ajo që kërkon te një person tjetër, në të vërtetë, varet vetëm nga ti”, u shpreh Lopez, transmeton Telegrafi.
Ish-bashkëshortët e Jennifer Lopezit (nga e majta në të djathtë): Ojani Noa, Cris Judd, Marc Anthony dhe Ben Affleck. Foto: Manny Hernandez/FilmMagic; Robin L. Marshall/Getty Images; Emma McIntyre/Getty Images; Axelle/Bauer-Griffin/FilmMagi
Katër martesa dhe mësimet që ia ndryshuan jetën
Historia e saj sentimentale ka qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes mediatike.
Jennifer Lopez ishte e martuar me Ojani Noa, Cris Judd, këngëtarin Marc Anthony, me të cilin ka binjakët Max dhe Emme, dhe së fundmi me Ben Affleck.
Para se të martohej me Affleckun në vitin 2022, pasi kishin rikthyer romancën e tyre pas afro dy dekadash, ajo ishte fejuar edhe me ish-sportistin Alex Rodriguez, nga i cili u nda në vitin 2021.
Megjithatë, as martesa e shumëpritur me Affleckun nuk zgjati. Në gusht të vitit 2024, këngëtarja paraqiti kërkesën për divorc.
Lopez nuk e fsheh se divorcet i kanë shkaktuar dhimbje të mëdha, por njëkohësisht i kanë dhënë mësime të paçmueshme.
Ajo ka edhe një këshillë për të gjithë ata që përballen me ndarje të dhimbshme: silluni në mënyrë të tillë që nesër të mund të ndiheni krenarë për veten.
“Edhe kur disa prej këtyre përvojave kanë qenë jashtëzakonisht të dhimbshme, mund të kthej kokën pas dhe të them: Kam dashuruar me gjithë qenien time, jam sjellë në një mënyrë për të cilën ndihem krenare dhe nuk kam trajtuar askënd në një mënyrë për të cilën do të më vinte turp”, deklaroi ajo.
Jennifer Lopez në premierën e “The JLo Show” në Los Angeles, Kaliforni, më 19 nëntor 2026. Foto: Gilbert Flores/Variety/Getty Images
Si ta bëni zgjedhjen e duhur të partnerit?
Nga të gjitha sukseset dhe zhgënjimet sentimentale, diva latine ka nxjerrë një filozofi të thjeshtë jetësore: mos prisni që dikush tjetër t’jua zbukurojë jetën, por ndërtojeni vetë atë.
Kur një grua mëson të ndihet e plotësuar dhe e lumtur me veten, ajo mund ta zgjedhë partnerin nga dëshira për të dashuruar dhe jo nga frika e vetmisë.
Megjithatë, përkundër zhgënjimeve të shumta, Jennifer Lopez nuk e ka humbur besimin në ekzistencën e dashurisë së vërtetë.
Gjatë paraqitjes në emisionin “Watch What Happens Live” me Andy Cohen, e pyetur nëse beson se e pret një dashuri tjetër e madhe, ajo u përgjigj me optimizëm:
“Mendoj se po. Dashurinë time më të madhe me siguri e kam ende përpara. Për këtë nuk kam asnjë dyshim.”
Mësimi më i rëndësishëm që Jennifer Lopez ka nxjerrë ndër vite është se dashuria nuk duhet të jetë një kërkim gjatë të cilit humbasim identitetin tonë, por një partneritet mes dy njerëzve që tashmë e kanë gjetur veten. /Telegrafi/
