Me veshje kombëtare dhe djepin tradicional, Xhuli zbulon emrat e binjakëve të saj: Urime 28 Nëntorit nga unë, Troy dhe Kleopatra
Juliana Nura ka zgjedhur 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit, për të zbuluar për herë të parë emrat e binjakëve të saj.
Ish-banorja e “Big Brother VIP Kosova” ka publikuar një video në Instagram, ku shfaqet e veshur me kostum tradicional shqiptar nga “Libertas Tradita”, ndërsa ka prezantuar edhe emrat që ka zgjedhur për dy vogëlushët: Troy dhe Kleopatra.
Krahas urimit për festën e 28 Nëntorit, Xhuli ka shpjeguar edhe domethënien që qëndron pas zgjedhjes së këtyre emrave, duke treguar se për të ata përfaqësojnë histori, forcë dhe identitet.
“Kur zgjodha emrat tuaj, fëmijët e mi, nuk kërkova thjesht emra të bukur. Kërkova emra që mbartin histori, forcë, identitet dhe kuptim”, ka shkruar ajo.
Emri Troy lidhet me qytetin e lashtë të Trojës, i njohur përmes historisë dhe mitologjisë. Sipas shpjegimit të Xhulit, ky emër simbolizon guximin, qëndresën dhe sakrificën, si dhe një trashëgimi që ka arritur t'i mbijetojë kohës.
Ndërkaq, emri Kleopatra ka origjinë nga greqishtja e lashtë dhe kuptimin “lavdia e babait”. Ai lidhet me mbretëreshën e famshme të Egjiptit, Kleopatrën, e cila mbetet një nga figurat më të njohura femërore të historisë, e kujtuar për inteligjencën dhe aftësitë e saj politike.
Me këtë publikim, Juliana ka realizuar edhe premtimin që kishte bërë ditë më parë, se emrat e binjakëve do t'i zbulonte pikërisht më 28 Nëntor.
Kështu, festa e flamurit u bë edhe më e veçantë për ish-banoren, e cila ndau me ndjekësit një nga detajet më të rëndësishme të jetës së saj familjare. /Telegrafi/
View this post on Instagram A post shared by Juliana Nura (@iamjuliananura)
