“Më e guximshme se kolegët e saj burra”: Gruaja e Renesancës – piktorja e parë e nudove erotike
Portretistja e Renesancës së vonë, Lavinia Fontana, ishte artistja e parë profesioniste grua që pikturoi nudo femërore, shumë prej të cilave ishin më sugjestive se ato të kolegëve të saj burra. A ishin këto nudo shprehje rebelimi kundër babait të saj puritan, zgjedhje komerciale apo një e dhënë për jetën e saj të brendshme?
Nga: Cath Pound / BBC Përkthimi: Telegrafi.com
Ishin dy anë të artistes pioniere Lavinia Fontana. E para mund të shihet në autoportretin e saj të vitit 1577, ku ajo është ulur pranë spinetës, veshur me një fustan elegant dhe stoli – mishërim i një gruaje të re të pasur, të kulturuar dhe të virtytshme italiane – ndërsa këmbaleci në sfond është tregues i profesionit që kishte zgjedhur. E konsideruar artistja e parë profesioniste grua, ajo kërkohej shumë si piktore portretesh dhe më vonë do të merrte porosi të rëndësishme për më shumë se një duzinë altarësh të pikturuar, duke sfiduar pikëpamjen se gratë nuk ishin të afta të fitonin porosi kaq prestigjioze e aq më pak t’i realizonin ato.
Ana e dytë mund të shihet në veprën monumentale Minerva në çastin e veshjes , ku perëndesha nudo duket sikur është kapur në befasi teksa është gati të veshë një mantel të qëndisur në detaje. Duke e mbajtur veshjen me kujdes në duar, ajo kthehet drejt shikuesit me një vështrim që është njëkohësisht i ndrojtur dhe sugjestiv.
Lexo po ashtu: – “Të panënshkruara dhe të neglizhuara”: Këto vepra arti janë bërë nga gratë – por, burrat morën meritën – E keqtrajtuar, e përbuzur dhe e harruar: Mallkimi që ndjek Artemisia Gentileschin! – Pse pikturat e burrave kushtojnë dhjetë herë më shumë se ato të grave?
Në një autoportret të vitit 1577 nga Lavinia Fontana, artistja e paraqet veten të rafinuar dhe të virtytshme (Foto: Accademia di San Luca, Romë)
Piktura u realizua për kardinalin Scipione Borghese në vitin 1613, një vit para vdekjes së Fontanas fakti që pas saj qëndronte një grua, pa dyshim do t’i kishte shtuar një drithërimë kujtdo që e shihte. Po kështu edhe informata se Fontana kishte reputacion për krijimin e imazheve të tilla – diçka për të cilën vetëm kohët e fundit jemi bërë plotësisht të vetëdijshëm. Gjatë viteve të fundit, Fontanas i janë atribuuar më shumë vepra që zbulojnë se ajo ishte jo vetëm artistja e parë grua që pikturoi nudon femërore, por edhe e para që pikturoi vepra erotike tematika e të cilave shpesh ishte më e guximshme se ajo e kolegëve të saj burra.
Në shikim të parë mund të duket e habitshme që këto dy anë kundërthënëse të Fontanas ekzistonin njëkohësisht. “Autoportretet e saj janë shumë korrekte. Në jetën e saj nuk ka kurrë asnjë shenjë skandali. Prandaj, mendon se ke të bësh me një grua shumë të përmbajtur. Ndoshta jo”, thotë Patrizia Cavazzini, një nga kuratoret e ekspozitës (Grua) Piktore [ (Woman) Painter ] në Muzeun Kombëtar të Oslos, ku ekspozohen si autoportreti ashtu edhe Minerva . Megjithatë, historiania e artit Elizabeth Cropper mendon se nuk duhet patjetër të besojmë se “respekti publik shoqëror e përjashton erotizmin seksual privat … Duhet të lejojmë njëfarë kompleksiteti në mënyrën se si i kuptojmë gratë e periudhës së hershme moderne”, i thotë ajo BBC-së.
Fortuna e pikturoi perëndeshën Minerva nudo, gati për t’u veshur dhe duke vështruar shikuesin (Foto: Koleksion privat)
Pavarësisht nëse këto vepra janë apo jo treguese të dëshirave private të Fontanas, Enrico Maria Dal Pozzolo, autor i Lavinia Fontana: Piktura erotike [ Lavinia Fontana: Erotic Paintings ], beson se kishte arsye të posaçme komerciale dhe sipërmarrëse që ajo të pikturonte si vepra të shenjta ashtu edhe profane. “Sipas mendimit tim, ajo e bëri këtë për të treguar se ishte ndryshe … dhe për të tërhequr vëmendjen ndaj guximit të saj kompozicional”, i thotë ai BBC-së.
Vepra e saj më e hershme erotike që njihet është Venera dhe Kupidi , e pikturuar rreth viteve 1585-1590. Teksa një Venerë nudo nuk është aspak temë e pazakontë në art, Fontana përdori stoli, vele dhe perla për ta shtuar sensualitetin. Ky motiv u përsërit disa vjet më vonë, kur ajo pikturoi një fisnike të njohur, Isabella Ruinin, si Venerë. Portreti deri në gjysmë të trupit, pa dyshim i menduar vetëm për t’u parë privatisht, e paraqet Isabellan/Venerën të mbështjellë me një copë garze tejet të hollë e cila nuk bën asgjë për t’ia fshehur gjinjtë.
Fisnikja Isabella Ruini u portretizua si Venerë nga Fontana (Foto: Musée des Beaux-Arts, Rouen)
Në Firence dhe Romë, në atë kohë kishte galeri të tëra kushtuar portreteve të grave të bukura, ndërsa në Bolonjën e saj të lindjes kishte konkurrencë të madhe mes grave. “Shumë poetë shkruanin për to. I rendisnin dhe thoshin se cila ishte më e bukura, prandaj mendoj se kjo buron nga ajo kulturë e vlerësimit të bukurisë femërore”, thotë Cavazzini.
Vepra më mahnitëse e Fontanas në këtë zhanër është Tri nudo femërore (rreth vitit 1600), që vetëm kohët e fundit i është atribuuar asaj dhe paraqet tri fisnike të veshura vetëm me vele të holla dhe stoli me hollësi të jashtëzakonshme. Dal Pozzolo hamendëson se bëhet fjalë për një Gjykim të Parisit bashkëkohor, frymëzuar nga rrëfimi i mitologjisë greke ku Parisit i kërkohet të zgjedhë se cila perëndeshë – Hera, Afërdita apo Athina – është më e bukura.
Gruaja në të majtë mendohet të jetë Clelia Farnese, e konsideruar një nga gratë më mahnitëse të Italisë dhe, si ajo, ashtu edhe gruaja e paidentifikuar në të djathtë, bëjnë me shenjë drejt fitueses në qendër e cila mendohet të jetë Maria de Medici. Vepra është pikturuar mbi pllakë guri, duke i dhënë një sipërfaqe shumë reflektuese, kështu që Parisi i kohëve moderne që e porositi do të pasqyrohej në imazh teksa vështronte zgjedhjen e tij në privatësinë e dhomës së vet.
Piktura e vitit 1600 me tri fisnike nudo (Foto: Koleksion privat)
Pikturimi i imazheve të tilla ishte pa dyshim i guximshëm, sidomos për një grua që jetonte në Bolonjë në kohën e kundër-reformacionit, kur kryepeshkopi i rreptë i qytetit, kardinali Gabriele Paleotti, ishte i vendosur ta shtrinte zellin moralizues të Kishës Katolike edhe në fushën e pikturës.
Në Diskursin e pikturës , babai i saj artist, Prospero, pranonte se piktori i krishterë duhej të shmangte pikturimin e subjekteve skandaloze, pasi kjo ishte mëkat. Por, më pas ai argumentonte se artistët duhej të pranonin porosi për vepra të tilla për arsye financiare dhe se Kisha duhej të merrej me vetë porositësit gjatë rrëfimit.
Qëndrimi i tij i dyzuar mund të shpjegohet mirë nga fakti se pasi e kishte përgatitur të bijën dhe e kishte vënë në rrugën drejt një karriere fitimprurëse – por, më pas kishte dalë vetë nga moda – ai e kishte detyruar të nënshkruante një kontratë që e obligonte t’ia dorëzonte të gjitha të ardhurat deri në vdekjen e tij. A është e mundur që ajo t’i ketë shtyrë kufijtë si protestë kundër tij?
Venera e të pasmeve të bukura
Ndoshta nuk është rastësi që veprat e saj më të guximshme u krijuan në vitet që çuan drejt vdekjes së Prosperos më 1597 dhe më pas, kur ajo mund të ketë ndier se prangat po liroheshin. Më të guximshmet prej këtyre pikturave përqendrohen posaçërisht te të pasmet femërore, gjë që mund të shpjegohet me interesin e përtërirë për Venerën e të pasmeve të bukura – një statujë romake e Venerës, e zbuluar së fundmi, ku ajo ngre në mënyrë provokuese petkun për të zbuluar të pasmet.
Tema ishte përshtatur nga artistë të ndryshëm burra, përfshirë Giorgionen, Titianin dhe Veronesen. Por, këta artistë “nuk kishin guxuar të paraqisnin të pasmet e perëndeshës duke u prekur”, thotë Dal Pozzolo. Lavinia, në Marsi dhe Venera , të pikturuar rreth viteve 1594-1695, e bëri këtë. “Sipas mendimit tim, fakti që një grua piktore ishte ajo që e kapërceu këtë kufi, mund të shpjegohet me vlerën vetëpromovuese”, thotë Dal Pozzolo.
Vepra “Marsi dhe Venera”, në mënyrë të pazakontë për kohën, e paraqet çiftin mitik si haptazi epshor (Foto: Fundación Casa de Alba, Palacio de Liria, Madrid)
Piktura është e jashtëzakonshme në paraqitjen e epshit të shfrenuar. Marsi prek me epsh të pasmet e Venerës, duke shtyrë ijët drejt saj teksa e bën këtë. Maja e ngritur në mburojën e tij, së bashku me shpatën që drejtohet mes këmbëve të saj, na lënë në dyshim për gjendjen e eksitimit të tij teksa Venera kthehet dhe i buzëqesh shikuesit.
Edhe pse të pasmet femërore janë sërish në qendër të vëmendjes në një Minervë nudo të cilën Fontana e pikturoi më 1604, pasi ishte shpërngulur në Romë, edhe fytyra e perëndeshës paraqet interes pasi është sugjeruar se ajo është vetë Fontana. Ky supozim mbështetet në një poemë të vitit 1605 që lavdëron aftësinë e saj si artiste dhe sugjeron se për të paraqitur virtytin dhe bukurinë, asaj i nevojitej vetëm një modele – vetja. “Pavarësisht nëse kjo figurë i ngjan apo jo Lavinias, ajo identifikohet me të – siç ndodh kaq shpesh me gratë artiste”, thotë Cropper.
Pa dyshim, ishte identifikimi i dyfishtë i Fontanas si piktore e rafinuar, e arsimuar dhe e aftë, si edhe si një artiste që merrej herë pas here me erotikën, arsyeja që e shtyu kardinalin Scipione Borghese – koleksionist dhe mbrojtës i njohur i arteve – të porosiste Minervën e vitit 1613 e cila zinte një vend nderi në muret e Vilës Villa Borgeze në Romë.
“Një pikturë kaq e madhe nuk mund të fshihet. Sidomos meqë ishte porositur nga piktorja më e famshme e Romës prej patronit më kërkues të arteve në qytet”, thotë Dal Pozzolo. Ai do t’ua kishte treguar atë “të gjithëve që mendonte se do ta vlerësonin”. Teksa ata që e panë atë në atë kohë ka të ngjarë të kenë qenë vetëm burra nga shtresat më të larta të shoqërisë, sot të gjithë jemi të lirë të admirojmë veprën e kësaj gruaje të jashtëzakonshme që kapërceu kufijtë, buzëqeshja enigmatike e së cilës – në autoportretin e saj – fshihte qartazi shumë anë të personalitetit të saj. /Telegrafi/
