Mbrëmje spektakli në MMA Kosova, sonte përcaktohen kampionët
Mbrëmja e sotme pritet të sjellë emocione, adrenalinë dhe spektakël në kafaz, me MMA Kosova që zhvillon fazën përfundimtare të garës, ku do të përcaktohen kampionët në kategoritë e ndryshme të peshave dhe grupmoshave.
Pas një dite të ngjeshur me përballje dhe duele vendimtare, luftëtarët që kaluan me sukses fazat paraprake do të kërkojnë ta kurorëzojnë rrugëtimin e tyre me fitimin e titullit. Në program janë gjithsej 17 finale, duke premtuar një mbrëmje të pasur me aksion dhe rivalitet sportiv.
Spektakli nis me kategoritë e të rinjve, ku në kafaz do të ngjiten luftëtarët e grupmoshave U14, U16 dhe U18. Këto përballje janë një dëshmi e zhvillimit të MMA-së në Kosovë dhe e interesimit gjithnjë e më të madh të gjeneratave të reja për këtë sport.
View this post on Instagram A post shared by Kosova Mixed Martial Arts Federation (@kosovammaf)
Vëmendje të veçantë do të ketë edhe konkurrenca e seniorëve, ku janë planifikuar finale në disa kategori të peshave, nga ato më të lehtat deri te kategoritë më të rënda. Përballjet pritet të sjellin intensitet të lartë, teknikë dhe luftë të fortë për secilin titull.
Në program është përfshirë edhe finalja në konkurrencën e femrave, duke i dhënë një dimension tjetër kësaj mbrëmjeje dhe duke dëshmuar se edhe MMA-ja e femrave po gjen gjithnjë e më shumë hapësirë në skenën sportive vendore.
View this post on Instagram A post shared by 𝙈𝙈𝘼05 (@mma05.ferizaj)
Kështu, të gjitha rrugët çojnë drejt mbrëmjes finale, ku pas shumë përballjeve dhe sfidave do të mësohen emrat e kampionëve të rinj të MMA Kosova. Një natë që pritet të ofrojë spektakël, emocione dhe adrenalinë për të gjithë adhuruesit e sporteve luftarake. /Telegrafi/
