TË FUNDIT

Mblidhen 54 thasë me mbeturina në aksionin e pastrimit në Duzhnjë të Gjakovës

Organizata “1 Thes me Veti” ka organizuar aksion pastrimi në fshatin Duzhnjë të Gjakovës, ku janë mbledhur 54 thasë me mbeturina.

Përmes një postimi në Facebook, organizata ka bërë të ditur se aksioni është zhvilluar më 25 tetor, ndërsa gjendja e ndotjes në hapësirën ku është intervenuar ishte alarmante.

“Dje, më 25 tetor 2026, organizuam aksionin e pastrimit në fshatin Duzhnjë, ku ndonëse gjendja e ndotjes në hapësirë ishte alarmante, falë përkushtimit dhe energjisë së jashtëzakonshme të të gjithë pjesëmarrësve arritëm të mbledhim plot 54 thasë me mbeturina”, thuhet në njoftim.

Organizata ka falënderuar vullnetarët për angazhimin e tyre, si dhe Kompaninë Rajonale të Mbeturinave “Çabrati” për bashkëpunimin në aksionet e pastrimit.

Ky aktivitet mbështetet nga Programi Rajonal për Demokracinë Lokale në Ballkanin Perëndimor 3 (ReLOaD3), i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), në partneritet me Komunën e Gjakovës. / Telegrafi /

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *