Mbi 750 persona të pastrehë në Gjenevë, vetëm 500 vende në strehimore – shumë detyrohen të kthehen në rrugë
Mungesa e kapaciteteve për strehim emergjent po e përkeqëson situatën sociale në Gjenevë të Zvicrës.
Personat e pastrehë përballen me pritje të gjata, qëndrime të kufizuara në strehimore dhe vështirësi për të gjetur punë e për të siguruar një jetë të qëndrueshme. Mbi 750 persona jetojnë pa strehim në Gjenevë, ndërsa qyteti disponon vetëm rreth 500 vende në qendrat emergjente. Për shumë prej tyre, sigurimi i një shtrati për natën nuk nënkupton fundin e pasigurisë, pasi shpesh detyrohen të rikthehen në rrugë. Sipas transmetuesit publik zviceran RTS, kërkesa për strehim emergjent është shumë më e madhe se kapacitetet ekzistuese. Shërbimet përkatëse pranojnë mesatarisht 150 telefonata në ditë, ndërsa numri i vendeve të lira mbetet tejet i kufizuar. “Dje kishim vetëm dy vende të lira. Ka ditë kur nuk kemi asnjë. Praktikisht, të gjitha qendrat janë plot”, thotë Gabriela, punonjëse sociale në shërbimin e strehimit. Një nga vështirësitë kryesore është kufizimi i qëndrimit në strehimoret emergjente në 30 net. Pas kësaj periudhe, personat duhet të presin dy javë përpara se të mund të regjistrohen sërish. Në strehimoren e mbrojtjes civile në Richemond, rreth 80 persona strehohen çdo natë gjatë gjithë vitit. Aty sigurojnë një shtrat, një vakt ushqimi dhe mundësi për t'u dushuar, por në orën 08:00 të mëngjesit duhet të largohen. Sipas drejtuesit të qendrës, Lorenzo Maggio, mes personave që kërkojnë ndihmë ka njerëz që kanë kaluar ngjarje të rënda jetësore, persona të izoluar me probleme shëndetësore dhe njerëz që përballen me varësi. Në periudhat kur nuk kanë mundësi të qëndrojnë në strehimore, personat e pastrehë mbështeten te organizatat humanitare dhe vullnetarët. Në qendrën Point d’Eau ofrohen shërbime higjienike, kujdes mjekësor falas dhe veshmbathje të pastra. Ndërkohë, kujdesi dentar mbetet një nevojë e rëndësishme, pasi kushtet e vështira të jetesës ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin oral. Dentisti vullnetar Sabry Sadfi tregon se trajton rregullisht pacientë me dëmtime të rënda të dhëmbëve dhe nofullës. Këto probleme, përveç pasojave shëndetësore, mund t'ua vështirësojnë edhe gjetjen e një pune. Një tjetër pengesë për personat e pastrehë është statusi i tyre i qëndrimit në Zvicër. Punonjësit socialë thonë se personat pa të drejtat e nevojshme ligjore nuk mund të punësohen, duke e bërë edhe më të vështirë daljen nga varfëria. Këtë situatë e përjeton edhe Habou, një i ri nga Mali, i cili aktualisht qëndron në strehimoren Richemond. “Ka shumë kompani që do të na punësonin, por pa leje qëndrimi është e pamundur. Nuk më mbetet zgjidhje tjetër veçse të fle në rrugë”, shprehet ai. Chris dhe Salomé sigurojnë strehim, por frika për të ardhmen vazhdonPas shumë vështirësive, Chris dhe Salomé kanë arritur të sigurojnë strehim për tre muaj në një qendër komunale që pranon edhe qenin e tyre, Ruby. Për ta, kjo mundësi përfaqëson një hap drejt rikthimit në një jetë më normale, larg pasigurisë së rrugës. “Tani po mësojmë sërish të jetojmë, sepse në rrugë gjithçka sillet rreth mbijetesës”, thotë Chris. Megjithatë, frika se mund të mbeten sërish pa strehim vazhdon t'i shoqërojë. Rasti i Gjenevës nxjerr në pah nevojën përtej strehimit emergjent: zgjidhje afatgjata që u mundësojnë personave të pastrehë të sigurojnë një vendbanim të qëndrueshëm, të kenë qasje në shërbimet shëndetësore dhe të integrohen në tregun e punës. /Telegrafi/
