TË FUNDIT

Masakra e 23 shqiptarëve në Zubin Potok: Zbulohen emrat e viktimave dhe detajet e rënda të dosjes së Prokurorisë

Nëntë të arrestuar dyshohen për përfshirje në krimet ndaj civilëve shqiptarë në prill të vitit 1999. Dosja përshkruan ekzekutimet, përpjekjet për djegien dhe fshehjen e trupave, ndërsa 20 viktima vazhdojnë të konsiderohen të zhdukura.

Njëzet e shtatë vjet pas krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, Prokuroria Speciale ka zbardhur hollësi të rënda nga hetimet për rastin e njohur si “Grupi i intelektualëve”, në të cilin 23 civilë shqiptarë u vranë dhe trupat e shumicës së tyre vazhdojnë të jenë të zhdukur.

Hetimet kanë çuar në arrestimin e nëntë personave, të dyshuar për përfshirje në këto krime. Sipas dosjes së Prokurorisë, civilët shqiptarë fillimisht u ndaluan, u plaçkitën dhe u keqtrajtuan, përpara se të ekzekutoheshin.

Ajo që e rëndon edhe më shumë këtë rast janë dyshimet për veprimet e ndërmarra pas vrasjeve, kur autorët e dyshuar janë kthyer në vendin e krimit dhe kanë tentuar të djegin e të shkatërrojnë trupat e viktimave, me qëllim fshehjen e gjurmëve.

Kush janë nëntë të dyshuarit e arrestuar?

Personat e arrestuar, ndaj të cilëve Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, janë:

Dragan Gjuriq

Millosh Raskoviq

Miroslav Radojeviq

Radisav Raskoviq

Sasha Gjukiq

Svetislav Gjukiq

Vukoje Lepoviq

Rangel Raskoviq, i njohur me nofkën “Lane”

Dalibor Gjuriq

Në dosjen hetimore për ngjarjet e 19 prillit 1999 përmenden gjithashtu Milomir Radojeviq, Vladan Tomaseviq dhe Jovica Utviq.

Prokuroria dyshon se personat e përmendur, së bashku me persona të tjerë, si pjesëtarë të Mbrojtjes Territoriale, kanë qenë të armatosur dhe të angazhuar në zonën e Zubin Potokut.

Duhet theksuar se përmendja e emrave në dosje nuk nënkupton se të gjithë personat e përmendur janë arrestuar ose se përgjegjësia e tyre penale është vërtetuar.

Këta janë 23 shqiptarët që u vranë

Sipas dosjes së Prokurorisë, më 19 prill 1999, në vendin e quajtur Melaja, në fshatin Kalludër e Vogël, u ndaluan dhe u ekzekutuan 23 civilë shqiptarë.

Viktimat e identifikuara në materialin hetimor janë:

Adem Ademi

Demir Ahmeti

Idriz Rreci

Adem Beqiri

Hasan Dervari

Sahit Barani

Fatmir Fazliu

Ali Haliti

Bekim Meziu

Naser Meziu

Sali Meziu

Samir Meziu

Selim Meziu

Shaqir Meziu

Tahir Meziu

Gjemajl Meziu

Gjevdet Meziu

Zymer Meziu

Faton Ujkani

Mahit Ujkani

Nazmi Ujkani

Shaip Ujkani

Shkelzen Ujkani

Nga këto 23 viktima, vetëm tri janë identifikuar përmes analizave të ADN-së, ndërsa 20 të tjera vazhdojnë të konsiderohen të zhdukura.

Për familjet e tyre, pritja për të mësuar të vërtetën dhe për të gjetur mbetjet mortore vazhdon edhe pas më shumë se dy dekadash.

Tentuan të digjnin kufomat, më pas i dëmtuan me sëpata dhe çekiçë

Sipas dosjes hetimore, pas ekzekutimit të civilëve shqiptarë, të dyshuarit i kanë varrosur viktimat në fund të një livadhi, pranë lumit, në vendin e quajtur Melaja.

Megjithatë, sipas pretendimeve të Prokurorisë, krimi nuk ka përfunduar me ekzekutimin dhe varrosjen e tyre.

Më 20 prill 1999, rreth orës 10:00, të dyshuarit dyshohet se janë kthyer në vendin e ngjarjes. Ata kanë nxjerrë trupat e 13 viktimave dhe kanë tentuar t’i djegin me benzinë.

Pasi benzina u ka mbaruar, sipas dosjes, kanë përdorur mjete të forta, përfshirë sëpata, çekiçë dhe kazma, për dëmtimin e kufomave.

Më pas, trupat janë varrosur pranë lumit, rreth 200 metra larg vendit të vrasjes. Prokuroria dyshon se këto veprime janë kryer për të fshehur gjurmët e krimit.

Dosja përfshin edhe vrasjen e katër civilëve të tjerë

Hetimet përfshijnë edhe ngjarjet e 18 prillit 1999, kur dyshohet se janë vrarë me armë zjarri katër civilë të tjerë shqiptarë:

Sahit Feka

Sadete Feka

Deli Isufi

Rabije Isufi

Sipas Prokurorisë, pas vrasjes, trupat e tyre janë varrosur në fshatin Jabukë të Zubin Potokut.

Në këtë pjesë të dosjes përshkruhet edhe sulmi ndaj Muharrem Fekës, i cili arriti të mbijetojë.

Dëshmia e të mbijetuarit: U qëllua me armë, por arriti të shpëtojë

Sipas përshkrimit të përfshirë në dosjen hetimore, Muharrem Feka fillimisht është ndarë nga grupi dhe është sulmuar fizikisht.

Më pas, të dyshuarit e kanë urdhëruar t’i vendosë duart prapa kokës dhe të vazhdojë në drejtim të malit.

Gjatë largimit, ndaj tij është shtënë me armë zjarri, duke i shkaktuar plagë në kokë dhe kraharor.

Ai është rrëzuar dhe ka humbur vetëdijen. Kur është përmendur, ka vërejtur se personat e tjerë dhe policia nuk ndodheshin më në vendin e ngjarjes.

Pavarësisht plagëve, Feka ka arritur të largohet përmes malit deri në fshatin Gërmovë, ku ka marrë ndihmën e parë nga një fqinje e tij, me profesion teknike medicinale.

Operacioni “Dosja 23” dhe kërkimi për drejtësi

Më 27 shtator 2026, Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, zhvilloi operacionin e koduar “Dosja 23” në komunën e Zubin Potokut. Gjatë këtij operacioni u arrestuan nëntë persona nën dyshimin për krime lufte kundër popullsisë civile.

Rasti rikthen në vëmendje një nga çështjet e pazgjidhura të luftës në Kosovë: fatin e personave të zhdukur dhe përgjegjësinë penale për krimet e kryera ndaj civilëve.

Identifikimi i tri viktimave përmes analizave të ADN-së përbën një zhvillim të rëndësishëm për hetimet, por 20 familje vazhdojnë të presin zbardhjen e fatit të të afërmve të tyre.

Hetimet dhe procedurat gjyqësore do të përcaktojnë nëse provat e mbledhura vërtetojnë përgjegjësinë penale të personave të dyshuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *