TË FUNDIT

Marrëveshja shqiptaro-maqedone e PDSH-së

Në vitin 2009, Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), e drejtuar nga Menduh Thaçi, publikoi dokumentin e shumëpritur, të cilin e propozoi si bazë për një pakt të ri për barazi ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve, përcjell agjencia e lajmeve INA.

Dokumenti përmbante 12 pika, të cilat, sipas PDSH-së, përbënin bazën e një kontrate të re që do të përkufizonte të drejtat dhe obligimet e ndërsjella të shqiptarëve dhe maqedonasve.

Kryetari i atëhershëm i PDSH-së, Menduh Thaçi, deklaroi se të gjithë faktorët politikë në vend duhej ta lexonin dhe ta shqyrtonin marrëveshjen, pa paragjykime paraprake.

I pyetur për dallimet ndërmjet Marrëveshjes së Ohrit dhe projekt-dokumentit të ri të PDSH-së, Thaçi deklaroi se, në shikim të parë, dallimet dukeshin të vogla, por një analizë më e thellë mund të nxirrte në pah dallime thelbësore në aspektin e procesit, realizimit dhe garantimit të zbatimit të marrëveshjes.

Sipas Thaçit, kishin kaluar të gjitha afatet për realizimin e Marrëveshjes së Ohrit, zbatimi i së cilës ishte paraparë të përfundonte në vitin 2004. Ai theksoi se marrëveshja nuk parashikonte penalizime apo sanksione për ngecjen e procesit.

“Marrëveshja e Ohrit është bukur e paqartë në aspektin e krijimit të shtetit etnik, multietnik, gjysmëetnik dhe të tjerë, ndërsa kjo mendoj se i përmban parimet bazë politike të krijimit të shtetit multietnik”, kishte theksuar Thaçi.

Ai shtoi se marrëveshja e re tashmë ishte platformë politike e PDSH-së, e cila do t’i nënshtrohej një debati të gjerë. Thaçi theksoi gjithashtu se partia ishte e përcaktuar për vlerat demokratike dhe integrimin në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Marrëveshja, e hartuar nga një grup ekspertësh të fushave të ndryshme, iu shpërnda të gjithë faktorëve politikë në vend, si dhe faktorëve politikë e institucionalë në Kosovë dhe Shqipëri, përfaqësive diplomatike dhe organizatave ndërkombëtare.

12 pikat e marrëveshjes së PDSH-së

1. Zbatim i plotë dhe në afat të caktuar i pikave të marrëveshjes (kontratës). Në këtë drejtim duhet të nxirret një ligj i veçantë, ku parashikohen masa ndëshkuese për shkeljet dhe zvarritjet, si dhe për të gjitha manipulimet që ndikojnë që një e drejtë të bëhet e pashfrytëzueshme. 2. Barazia e plotë dhe përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve në sistem, si në shfrytëzimin e begative të sistemit, ashtu edhe në vendimmarrje. Kjo fushë do të kontrollohet me parimin e konsensusit të plotë. Këtu bën pjesë edhe ndarja proporcionale e buxhetit. Nëse kjo ndarje nuk do të ishte e barabartë, të drejtat e ofruara do të shndërroheshin në oferta të parealizueshme. 3. Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe pa segregime fyese. 4. Përfaqësimi i drejtë i kontrolluar. 5. Njëri nga tri postet kryesore të shtetit t’i takojë përfaqësuesit shqiptar: presidenti, kryeministri ose kryetari i Parlamentit. 6. Ligj i ri për funksionimin konsensual të Qeverisë. 7. Decentralizim i njëmendtë, në vend të dekoncentrimit që krijon iluzionin se mjetet buxhetore janë decentralizuar. 8. Ndarje e re territoriale, që merr parasysh aspektin etnik, kulturor, ekonomik dhe infrastrukturor. 9. Themelimi i institucioneve në funksion të zhvillimit të vlerave kulturore shqiptare. 10. Respektimi i përpiktë i konceptit sekular të shtetit. 11. Deetnizimi i simboleve të shtetit, i himnit, i stemës dhe i simboleve të tjera shtetërore. 12. Përcaktimi strategjik dhe pa ekuivokë për integrim në NATO dhe BE.(INA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *