POLITIKATË FUNDIT

Maqedonci takon zyrtaren e Aleancës, rithekson përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO gjatë një takimi me Burcu San, zëvendës-ndihmëse e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Operacione.

Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e sigurisë, sfidat aktuale dhe avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe NATO-s përmes Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të Aleancës.

Ai ka theksuar se zhvillimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës po vazhdon të përafrohet me standardet e NATO-s, përmes modernizimit të pajisjeve dhe trajnimit profesional të personelit ushtarak, bazuar në doktrinat e vendeve partnere.

Sipas Maqedoncit, gjatë takimit, Burcu San ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e Kosovës ndaj Ukrainës, përmes misionit Interflex me Mbretërinë e Bashkuar dhe Koalicionit të Deminimit, në kuadër të trajnimit të trupave ukrainase.

Ministri ka theksuar gjithashtu rëndësinë e zhvillimit të industrisë së mbrojtjes në Kosovë dhe zbatimit të Programit të Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse, si hapa të rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe rritjen e qëndrueshmërisë shtetërore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *