TË FUNDIT

LVV paralajmëron ankimim dhe kallëzim penal për Tulltoren: “Prishtina nuk është plaçkë”

Lëvizja Vetëvendosje! Qerndra në Prishtinë ka kundërshtuar vendimin e Komunës së Prishtinës, të udhëhequr nga Përparim Rama, për dhënien në shfrytëzim për 50 vjet të pronës së Tulltores kompanisë private BGC SH.P.K.

Në një komunikatë, LVV thotë se bëhet fjalë për rreth 45 mijë metra katrorë pronë komunale, me vlerë të madhe për zhvillimin e kryeqytetit, të cilën Komuna e Prishtinës e kishte blerë për rreth 5 milionë euro.

Sipas LVV-së, vendimi e lidh qytetin për pesë dekada dhe për këtë arsye kërkon transparencë të plotë, vlerësim të pavarur të pronës, konkurrencë të mirëfilltë dhe garanci financiare për realizimin e projektit.

“50 vjet janë 12 mandate e gjysmë të një qeverisjeje komunale. Vendimi e lidh Prishtinën edhe për 5 dekada pasi kjo qeverisje të ketë përfunduar”, thuhet në komunikatë.

LVV ka ngritur shqetësime edhe për kompaninë përfituese, BGC SH.P.K., duke pretenduar se nuk është bërë publike përvoja e saj në projekte të përmasave dhe natyrës së Tulltores.

Sipas komunikatës, projekti parashihet të përfshijë mbi 42 mijë metra katrorë ndërtime, me hotel, restorante, galeri, auditorium, hapësira teknologjike, studio, zyra, hapësira afariste dhe parkingje.

LVV kërkon që kryetari Përparim Rama të sqarojë mbi çfarë bazash është vlerësuar aftësia profesionale, organizative dhe financiare e kompanisë për ta realizuar një projekt të tillë.

LVV: Prona mund të vlejë dhjetëra milionë euro

Lëvizja Vetëvendosje! thotë se, duke u bazuar në çmimet e truallit ndërtimor në zona përreth, 45 mijë metra katrorë tokë mund të përfaqësojnë vlerë prej dhjetëra milionë eurosh.

Në komunikatë përmendet një ofertë për truall në zonën ndërmjet Arbërisë dhe Tophanes, ku çmimi thuhet se është rreth 119 mijë euro për ari. Sipas kësaj pikë reference, 450 ari do të kishin vlerë mbi 53 milionë euro.

LVV thotë se marrëveshja parashikon investime deri në 10 milionë euro gjatë pesë viteve të para dhe deri në 20 milionë euro në fazat e mëvonshme, ndërsa Komunës i takojnë 15 për qind të të hyrave bruto.

Sipas LVV-së, shtatë vitet e para Komuna nuk do të përfitojë të hyra, bazuar në planin e biznesit të prezantuar.

Ndërkaq, kryetari Përparim Rama ka folur për rreth 1 milion euro të hyra në vit dhe mbi 50 milionë euro përgjatë 50 viteve, por LVV thotë se këto janë vetëm parashikime dhe kërkon që të bëhen publike llogaritjet dhe garancitë mbi të cilat janë mbështetur.

“Dyshim i fortë për klientelizëm dhe korrupsion”

LVV e lidh mënyrën e përzgjedhjes së operatorit, mungesën e transparencës dhe kushtet e marrëveshjes me një, siç e quan, “dyshim të fortë për klientelizëm dhe korrupsion”.

“Ky dyshim kërkon sqarim institucional dhe hetim të plotë nga Prokuroria të mënyrës se si është përgatitur, negociuar dhe miratuar kjo marrëveshje”, thuhet në komunikatë.

Vendimi, sipas LVV-së, është miratuar më 11 shtator në Kuvendin Komunal të Prishtinës, me 31 vota për, 13 kundër dhe asnjë abstenim. LVV thekson se PDK-ja e ka mbështetur vendimin.

Partia opozitare në Prishtinë ka paralajmëruar se do të kërkojë shqyrtimin e ligjshmërisë së procedurës, dokumentacionit, vlerësimit të pronës, kushteve të marrëveshjes dhe aftësive të operatorit. Gjithashtu ka paralajmëruar ankesa administrative, procedura gjyqësore dhe, sipas saj, edhe kallëzim penal për shkelje të interesit të komunës dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në fund të komunikatës, LVV e përmbyll reagimin me sloganin:

“Tulltorja është pronë e Prishtinës. Prishtina nuk është plaçkë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *