Lushaku: LDK nuk mund të bëhet pjesë e kësaj nisme, rrezikon pasoja për Kosovën
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku, ka deklaruar se për LDK-në Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta e saj kanë qenë dhe mbeten të drejta, por ka shprehur kundërshtim ndaj nismës për ndryshimin e ligjit që lidhet me Dhomat e Specializuara.
Lushaku ka theksuar se përgjegjësia për veprimet individuale nuk mund të bartet mbi një komunitet apo mbi të gjithë luftën e UÇK-së.
“Për LDK-në, UÇK-ja dhe lufta e saj janë të drejta. Asnjë përgjegjësi individuale nuk mund të jetë kolektive”, ka deklaruar Lushaku, përcjell Telegrafi.
Sipas saj, Kuvendi i Kosovës nuk mund t’u premtojë qytetarëve se një vendim i marrë në këtë institucion do ta zhbëjë situatën e krijuar ndër vite.
“Nuk mund t’ju premtojmë që një vendim në Kuvend mund ta zhbëjë… Miratimi i ndryshimeve në Kuvend nuk mund të garantojë zbatimin e tyre dhe rezultatet që qytetarëve u premtohen sot”, është shprehur ajo.
Deputetja e LDK-së ka paralajmëruar se iniciativa mund të mos prodhojë efektin juridik të pretenduar, ndërsa pasojat e saj, sipas saj, mund t’i mbeten shtetit të Kosovës.
“Kjo nismë rrjedhimisht mund të mos prodhojë efekt juridik që mund të pretendohet dhe pasojat e saj mund t’i mbeten shtetit të Kosovës”, ka thënë Lushaku.
Ajo ka theksuar gjithashtu se kundërshtimi i raportit fillestar nuk është i mjaftueshëm për të zhbërë hetimet dhe pasojat që kanë ardhur më pas.
“Kundërshtimi i raportit fillestar nuk i zhbën hetimet dhe pasojat që pasuan”, ka deklaruar ajo.
Lushaku ka kërkuar që çdo pretendim për gabime, padrejtësi apo shkelje gjatë procesit të shqyrtohet nga institucionet dhe instancat kompetente.
“Çdo pretendim për gabim, padrejtësi apo shkelje në prova duhet të konstatohet nga instancat kompetente”, ka theksuar deputetja.
Në qëndrimin e saj, Lushaku ka vënë theks të veçantë edhe te dimensioni ndërkombëtar i çështjes. Ajo ka thënë se për Kosovën është e domosdoshme të ketë kundërshtim dhe veprim diplomatik në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.
“Po aq i domosdoshëm është kundërshtimi ndërkombëtar. Veprimet e njëanshme pa këtë koordinim rrezikojnë ta dobësojnë besueshmërinë ndërkombëtare që i nevojitet vendit tonë”, ka deklaruar ajo.
Në fund, Lushaku ka bërë të ditur se LDK-ja nuk do të bëhet pjesë e kësaj nisme, ndërsa ka paralajmëruar për rreziqet e mundshme politike që mund të sjellë ajo.
“LDK nuk mund të bëhet pjesë e kësaj nisme. LDK paralajmëron me kohë për rreziqet e mundshme politike që ajo mund të bart. Ju bëjmë thirrje që t’i merrni me seriozitet këto rreziqe”, ka përfunduar Lushaku. /Telegrafi/
