TË FUNDIT

Lukashenko ironizon me pretendimet territoriale të Putinit: Rusia duhet t’i kthehet Mongolisë

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka deklaruar se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, nuk është përgjegjës për gjithçka që po ndodh në Ukrainë, duke ia atribuuar një pjesë të fajit popullit ukrainas, i cili e zgjodhi atë në krye të shtetit, pavarësisht mungesës së përvojës politike.

Në një deklaratë, Lukashenko tha se Zelensky nuk ishte i përgatitur për të ushtruar detyrën e presidentit, por e përshkroi atë si një njeri të mirë.

“Zelensky nuk është fajtor për gjithçka. Fajtor është populli ukrainas që zgjodhi një njeri pa përvojë. Zelensky nuk ishte i përgatitur për të qenë president. E kam takuar dhe kam biseduar me të. Është një djalë normal, njeri i mirë”, deklaroi ai.

Megjithatë, Lukashenko tërhoqi vëmendjen edhe me një koment ironik ndaj argumenteve historike që Kremlini përdor për të justifikuar pretendimet territoriale ndaj Ukrainës.

Ai vuri në pikëpyetje logjikën e presidentit rus, Vladimir Putin, sipas së cilës territoret që dikur i kanë përkitur Rusisë mund të konsiderohen pjesë e saj edhe sot.

“Tokat ruse dikur u përkisnin mongolëve dhe tatarëve. E mbani mend? Atëherë do të duhej t’ia kthenim të gjithë Rusinë Mongolisë”, tha Lukashenko.

Sipas tij, Putini është plotësisht i vetëdijshëm për këtë kundërthënie.

Në fund, lideri bjellorus pretendoi se lufta nuk u shkaktua nga Zelensky, por nga mënyra se si funksionoi demokracia ukrainase, duke iu referuar zgjedhjes së tij në krye të vendit.

Deklaratat e Lukashenkos vijnë në një kohë kur argumentet historike dhe pretendimet territoriale vazhdojnë të jenë pjesë e diskursit të Kremlinit për luftën në Ukrainë. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *