TË FUNDIT

LSDM akuzon Sllaveskin për konflikt interesi në rastin e Alta Bankës, Banka Popullore i hedh poshtë akuzat dhe thotë se nuk ekziston një gjë e tillë

Me emërimin e Ilija Andonovskit si administrator i përkohshëm i Alta Bankës, guvernatori Trajko Sllaveski, në vend që të japë dorëheqje, dëshiron ta fshehë skandalin. Këtë e deklaroi nënkryetari i LSDM-së, Aleksandar Sasha Dimitrijeviq, i cili para Bankës Popullore theksoi se kjo përbën konflikt interesi, pasi vetë Andonovski i ka lëshuar licencat për Alta Bankën. Ai pretendon se ditëve të fundit është ushtruar presion ndaj personave të caktuar që ta blejnë bankën.

“Ilija Andonovski, i cili është administrator i përkohshëm i Alta Bankës, është personi që ua ka lëshuar licencat aksionarëve dhe anëtarëve të Bordit Drejtues dhe Mbikëqyrës, pasi paraprakisht ishte dhënë leja për funksionimin e bankës. Nga maji i vitit 2025, ai ka qenë drejtor i Drejtorisë për Mbikëqyrje Jashtë Vendit dhe Licencim. Ky është konflikt klasik interesi. Nuk mundet që një person, i cili ka qenë pjesë e procesit të miratimit të Alta Bankës për të hyrë në Maqedoni, tani të jetë në këtë pozitë”, tha Aleksandar Sasha Dimitrijeviq – nënkryetar i LSDM-së .

Për këto akuza të LSDM-së, reaguan me demant nga Banka Popullore. Thonë se administratori nuk ka marrë vendimet për të cilat pretendon opozita.

“Faktet janë të qarta dhe të padiskutueshme. Në përputhje me nenin 57, paragrafin 1, pikat 3 dhe 4 të Ligjit për Bankat, pëlqimin paraprak për emërimin e anëtarëve të Bordit Drejtues dhe Mbikëqyrës të një banke e jep Bordi Ekzekutiv i Bankës Popullore, i përbërë nga guvernatori dhe zëvendësguvernatorët. Prandaj, është plotësisht e pabazë që administratorit t’i atribuohen vendime të cilat i ka marrë një organ tjetër, i autorizuar me ligj. Paraqitja e tillë e fakteve është përpjekje për diskreditimin e administratorit”, thonë nga Banka Popullore.

Reagim pati edhe nga VMRO-DPMNE-ja, nga ku edhe sot thonë se LSDM-ja vetëm po përhap frikë dhe panik të panevojshëm te qytetarët. Deputetja Dafina Stojanoska vlerëson se, për të marrë përgjigje për këtë rast, duhet të mbahet sa më shpejt një seancë mbikëqyrëse, të cilën e kishte kërkuar LSDM-ja.

“Ne u pajtuam që seanca mbikëqyrëse të mbahet në afatin më të shkurtër të mundshëm. Vendimin e morëm të hënën, më 2 nëntor, ndërsa ata e caktojnë atë vetëm javën e ardhshme, të mërkurën, më 11 nëntor. Deputetët e VMRO-DPMNE-së, me nënshkrimet e një të tretës së anëtarëve të Komisionit për Financim dhe Buxhet, tashmë kanë kërkuar që ai të mblidhet që sot, por është e qartë se qëllimi i opozitës është që sa më gjatë ta politizojë këtë çështje”, shtoi Dafina Stojanoska – VMRO-DPMNE.

Përveç kërkesës për seancë mbikëqyrëse, LSDM-ja ka dorëzuar edhe interpelancë për guvernatorin Sllaveski, për shkak të rastit me Alta Bankën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *