TË FUNDIT

Liverpooli përgatit një rikthim të bujshëm: Arnold drejt largimit nga Real Madridi vetëm 18 muaj pas transferimit nga “Anfield”

Liverpooli po shqyrton mundësinë e rikthimit të Trent Alexander-Arnoldit në “Anfield”, pas periudhës së vështirë që mbrojtësi anglez po kalon te Real Madridi.

Sipas mediumit spanjoll Cadena SER, “Të Kuqtë” po mendojnë për një ofertë huazimi në afatin kalimtar të janarit, me synimin për ta rikthyer në shtëpi futbollistin që u largua nga klubi në vitin 2025.

Alexander-Arnold, i cili iu bashkua Real Madridit për vetëm 8.5 milionë funte, ka hasur vështirësi për të siguruar minuta të rregullta nën drejtimin e Jose Mourinhos.

28-vjeçari aktualisht konsiderohet si zgjedhja e tretë në krahun e djathtë të mbrojtjes. Në ndeshjen e fundit kundër Barcelonës, ai mbeti në bankinë, ndërsa Mourinho preferoi mesfushorin Federico Valverde në atë pozicion.

Këtë sezon, anglezi ka regjistruar vetëm shtatë paraqitje dhe një asistim. Përveç Liverpoolit, interesim për të ka shprehur edhe Chelsea.

Megjithatë, Real Madridi nuk dëshiron ta lejojë largimin e tij pa kushte të favorshme financiare. Sipas raportimeve, klubi madrilen do të kërkonte një klauzolë të detyrueshme blerjeje në rast huazimi, pasi vlera e tij në treg vlerësohet rreth 51 milionë funte.

Pavarësisht minutave të pakta, Alexander-Arnold pati një mundësi në fitoren 3-0 ndaj Racing Santander, ku Mourinho vlerësoi cilësitë e tij teknike.

“E aktivizova Trent-in, i cili nuk kishte luajtur prej një kohe, sepse pashë se cilësia e tij teknike do të na ndihmonte ta nxirrnim topin nga prapavija”, deklaroi trajneri portugez.

Mourinho u shpreh gjithashtu i kënaqur me paraqitjen e mbrojtësit, duke theksuar se ai ishte treguar i shkëlqyer dhe i ekuilibruar, pavarësisht mungesës së ndeshjeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *