LIVE/Tensione të reja në Tiranë: Policia nis shoqërimet, protestuesit sulmojnë bizneset dhe një bankë
Situata në bulevardin kryesor dhe përballë godinës së Kryeministrisë ka pësuar një tjetër përshkallëzim të rëndë gjatë orëve të mbrëmjes.
Ndërhyrja e forcave të rendit me shoqërime erdhi pasi një grup protestuesish nisi goditjen direkte me gurë ndaj autoboteve me ujë të policisë. Gjithashtu, efektivët kanë larguar përfaqësuesit e medias nga perimetri i afërt i Kryeministrisë, duke mos i lejuar të qëndrojnë pranë godinës qeveritare.
Ndërkohë, vala e tensioneve është zhvendosur edhe mbi ambientet private rreth zonës së tubimit. Protestuesit kanë dëmtuar me forcë pllakat metalike të mbrojtjes të disa bizneseve, si dhe kanë hapur me dhunë hyrjen e një banke të nivelit të dytë, teksa policia po vijon përpjekjet për shpërndarjen e turmës.
