Legjenda e njohur franceze me deklaratë të fortë: Real Madridi gaboi që nuk e shiti Viniciusin
Legjenda franceze Marcel Desailly ka bërë një deklaratë të bujshme, duke thënë se Real Madridi është dashur ta shiste Vinicius Juniorin gjatë afatit kalimtar të verës. Fituesi i Kupës së Botës 1998 beson se vështirësitë taktike për t’i përshtatur brazilianin dhe Kylian Mbappe në të njëjtin formacion titullar po ndikojnë negativisht në ekuilibrin e skuadrës.
Real Madridi nisi një kapitull të ri këtë verë nën drejtimin e trajnerit të rikthyer Jose Mourinho, ndërsa Vinicius përfundimisht vendosi të nënshkruante një kontratë afatgjatë, pas negociatave të zgjatura dhe një sage të gjatë transferimi ku ishte përfshirë edhe Arsenali.
Megjithatë, pavarësisht se siguroi të ardhmen e tij në “Santiago Bernabeu”, anësori brazilian ka pësuar një rënie të ndjeshme të formës.
Që nga nënshkrimi i kontratës së re, Vinicius ka hasur vështirësi për të treguar nivelin e tij më të mirë. Një pjesë e konsiderueshme e problemit lidhet me bashkëpunimin jo bindës në fushë me yllin tjetër të sulmit, Kylian Mbappe, gjë që ka shtuar presionin ndaj tij.
Duke folur për beIN Sports , ish-reprezentuesi i Francës, Marcel Desailly, vuri në pikëpyetje vendimin e Real Madridit për t’i mbajtur të dy sulmuesit në skuadër. Ai sugjeroi se klubi madrilen është dashur ta largonte yllin brazilian për të krijuar një ekuilibër më të mirë në ekip.
“Unë mendoj se Real Madridi është dashur ta lejonte largimin e Viniciusit. Ata duhet të kërkojnë lojtarë të tjerë. Edhe një herë, po flasim për partneritetin mes Kylian Mbappes dhe Viniciusit. Ky bashkëpunim nuk ka rezultuar i suksesshëm”, deklaroi Desailly.
“Prandaj, sipas mendimit tim personal si analist, do të ishte më mirë që ai të largohej dhe të shohim nëse do të ishte në gjendje t’i largonte të gjitha mendimet dhe opinionet negative që janë krijuar ndaj tij”, përfundoi francezi./ Telegrafi /
