TË FUNDIT

“Le të ndahet shapi prej sheqerit” – Tahiraj për rastin e Fatmir Shehollit: A mos po na dalin edhe ndonjë “alamet” akademik?

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Saim Tahiraj, ka folur lidhur me aktakuzën e ngritur ndaj Fatmir Shehollit, duke ngritur pikëpyetje nëse procesi hetimor mund të nxjerrë në pah edhe persona të tjerë të dyshuar për bashkëpunim me Serbinë.

Në një prononcim për “Bota sot”, Tahiraj ka thënë se nëse hetimet vazhdojnë dhe faktet dalin në dritë, nuk duhet të përjashtohet mundësia që në këtë rast të përfshihen edhe persona me tituj të lartë akademikë.

“Kush po del tjetër gjatë hetimeve të rastit Sheholli si bashkëpunëtor i Serbisë? A mos po na dalin edhe ndonjë “alamet” akademik e doktor shkencash?

Nëse hetimet e organeve të drejtësisë vazhdojnë dhe faktet dalin në dritë, atëherë le të mos habitemi nëse përballë nesh shfaqen edhe njerëz me tituj të lartë akademikë. Tagjia e madhe nga fondet e armiqve tanë, siç duket, kanë ditur t’i joshin edhe njerëz që mbajnë tituj të lartë shkencorë, por që mund të kenë pasur karakter të ulët njerëzor e kombëtar”, ka thënë ai.

Tahiraj ka theksuar se titujt akademikë nuk janë domosdoshmërisht tregues i karakterit dhe integritetit të një personi.

ImageSaim TahirajFoto galeri
“Këto raste, nëse vërtetohen, do të dëshmonin edhe një herë se diploma, sado i lartë të jetë niveli i saj, nuk është përcaktuese e karakterit njerëzor dhe kombëtar. Dituria mund të fitohet në auditorë e universitete, por karakteri, ndërgjegjja dhe përgjegjësia ndaj kombit trashegohen, formohen gjatë gjithë jetës, veçanërisht në familje dhe në edukimin që merr njeriu”, ka shtuar ai.

Ai ka kërkuar nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë që hetimet t’i vazhdojnë pa kompromis dhe të zbardhin të gjitha faktet.

“Prandaj, institucionet tona të sigurisë dhe drejtësisë duhet ta vazhdojnë punën pa kompromis. Le të ndahet shapi prej sheqerit, të zbardhen faktet dhe të bëhet e ditur kush ka bashkëpunuar me shërbimet e huaja dhe kush është i pafajshëm.

Nëse ka spiunë dhe bashkëpunëtorë të Serbisë, cilido qofshin ata dhe çfarëdo titulli që mbajnë, ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë. E vërteta duhet të dalë në shesh një herë e përgjithmonë”, ka përfunduar Tahiraj për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *