LDK-ja mes rënies elektorale dhe tubimeve masive, Maraj jep parashikimin për 7 qershorin
Kanë mbetur edhe pak ditë deri në përfundimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e së dielës në Kosovë. Partitë politike kanë intensifikuar aktivitetet e tyre, duke zhvilluar takime e tubime në vende të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Nga vizitat në familje, biznese, shkolla e çerdhe, deri te tubimet në sheshe e palestra sportive, partitë po përpiqen të mobilizojnë sa më shumë votues.
Fotografitë e publikuara nga subjektet politike shpesh tregojnë pjesëmarrje të konsiderueshme të qytetarëve, madje në disa raste numri i të pranishmëve duket më i madh sesa rezultati që partitë kanë arritur më herët në ato komuna. Një fenomen i tillë është vërejtur ndër vite edhe te Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila ka publikuar vazhdimisht pamje nga tubime të mbushura me simpatizantë, ndonëse rezultatet e saj zgjedhore kanë shënuar rënie.
Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, LDK-ja u rendit e treta me 18.27 për qind të votave, ose 171,357 vota. Ndërkaq, në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025, të udhëhequra nga Lumir Abdixhiku, partia fitoi 13.24 për qind të votave, duke regjistruar një rënie të dukshme krahasuar me rezultatin e mëparshëm.
Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, tashmë LDK do të garojë edhe me ish- presidenten Vjosa Osmani, e cila së bashku me kandidatin për kryeministër nga kjo parti Lumir Abdixhiku, i kanë mbajtur takimet me qytetarët në kuadër të fushatës, takime këto që kanë vendosur t’i quajnë me “hajde folim”.
Rreth asaj sa do të ndryshojë rezultati i LDK-së në zgjedhjet e 7 qershorit, a do të dalin në përqindje të lartë duke u bazuar edhe në fotografitë e postuara, ka folur për “Bota sot”, analisti Milazim Maraj.
Maraj shprehet optimist për rezultatin e kësaj partie, duke thënë se bashkimi i LDK-së ka ngritë besimin për një kthim të mbarë.
“LDK pas bashkimit ka ndërruar gjendjen brenda partisë dhe ka rikthye shpresën të elektorati i vet. Një numër i konsiderueshëm i anëtarëve të LDK që nuk kanë dalë fare në zgjedhje që nga udhëheqja Isa Mustafës tani shohin ndryshim dhe kanë shpresë. Ata i besuan LDK më dekada por ishin të zhgënjyer më largimin, injorimin dhe nëpërkëmbjen e vlerave të LDK nga kryesia e saj në këtë kohë, që nuk ishin ndal as për një moment që nga viti 1990. Ishin ata që kishin organizuar rezistencën paqësore dhe atë të armatosur dhe tani po injoroheshin nga kryesia e partisë që e kishin formuar vet. Bashkimi i LDK tani ka dy forca që kanë ngritë besimin për një kthim të mbarë. Bashkimin si akt që i përgjigjët politikës së unitetit kombëtar, mbledhjen e vlerave profesionale dhe të moralit kombëtar; që përmbajnë komponentët e rrugës dhe politikës së mençur të Presidentit Ibrahim Rugova”, deklaron Maraj.
Ai përmend përparësit e kësaj partie.
“Një përparësi tjetër që në këto zgjedhje po mobilizon masën votuese të LDK është lista me figura që kanë vlera profesionale, intelektuale, që nuk kanë afera dhe janë të provuar për të dhënë çdo gjë nga vetja për vendin dhe popullin e vet. Prezantimi i qëndrimit të LDK për unitet kombëtar dhe miqësi të besueshme me aleatet që Kosova i pati pranë në ditët më të vështira po ashtu po çmohet mjaftë në masë. Puna për një mandat të Presidentes Vjosa Osmani që ka rehabilituar politikën e jashtme të Kosovës në BE dhe SHBA. Gjithashtu ka disa defekte LVV dhe disa përparësi LDK që kanë shtuar numrin e pjesëmarrësve të LDK në fushatë dhe kanë ndryshuar gjendjen”, shprehet analisti.
Sipas tij, tani nuk mund të flitet për përqindje, por kjo parti po garon për vendin e parë.
“ Tani nuk mund të flitet për përqindje por LDK do të ketë rritje të konsiderueshme. Madje thuhet së LDK po garon për vendin e parë. Ndërsa për Presidenten Osmani thuhet që askush nuk e ka udhëheq Kosovën më mirë pas Dr. Ibrahim Rugovës”, përfundon Maraj.
