Kuvendi emëron 15 anëtarët e Këshillit Kombëtar të Shkencës
Kuvendi i Kosovës ka miratuar emërimin e 15 anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës, me 67 vota për.
Emërimi i anëtarëve u përcoll me debat në Kuvend, ku deputetët ngritën çështje lidhur me përbërjen e Këshillit dhe kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve. Lista e kandidatëve ishte propozuar nga Qeveria, ndërsa paraprakisht ishte shqyrtuar nga Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Teknologji.
Këshilli Kombëtar i Shkencës është organ profesional përgjegjës për zhvillimin sistematik të veprimtarisë kërkimore-shkencore dhe teknologjike në Kosovë. Ai përbëhet nga 15 anëtarë, të cilët kanë mandat katërvjeçar.
Kuvendi nuk miraton dy rezoluta për shëndetësinë dhe energjinë
Kuvendi i Kosovës ka vazhduar punimet me shqyrtimin e pikave të mbetura të rendit të ditës, por deputetët nuk kanë arritur të miratojnë dy rezoluta që lidhen me çështje të rëndësishme, atë të mungesës së barnave për pacientët me kancer dhe gjendjen në sektorin e energjisë elektrike.
Në vazhdimin e seancës së Kuvendit të Kosovës nuk ka kaluar rezoluta e propozuar pas interpelancës së ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, e cila ishte thirrur pas vdekjes së një pacienteje me kancer, së cilës i kishte munguar njëri nga barnat e nevojshme për terapinë e saj.
Po ashtu, deputetët nuk kanë miratuar as rezolutën që buronte nga mocioni përmbajtjesor lidhur me gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike.
Për rezolutën e parë kanë votuar vetëm 27 deputetë, ndërkohë kundër kanë votuar 49.
Ndërkohë për të dytën 27 deputetë kanë votuar për dhe 51 kanë qenë kundër.
