Kusari-Lila prezanton reformat për rritjen e prodhimit vendor dhe zëvendësimin e importeve
Ministrja e MNNTI foli në darkën e diskutimit “The Future of Business: From Opportunity to Investment”, në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari – Lila, në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë, mori pjesë në darkën e diskutimit me temën “The Future of Business: From Opportunity to Investment”.
Në takim, në prani të Kryeministrit Albin Kurti dhe përfaqësuesve të sektorit privat, u diskutuan objektivat zhvillimore dhe masat konkrete për rritjen e prodhimit vendor dhe eksporteve, njofton Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.
Aktiviteti u organizua në bashkëpunim me Data4X, themeluar nga Shpend Ahmeti dhe Flandra Marmullaku, dhe diskutimi u përqendrua në Agjendën “1 Miliard”, synim për rritjen e vlerës së prodhimit vendor, zëvendësimin e importeve dhe forcimin e kapaciteteve prodhuese të Kosovës.
Reformat dhe masat e njoftuara
Ministrja Kusari Lila bëri të ditur se Qeveria synon që deri në fund të këtij viti të miratojë dhe të fillojë zbatimin e Ligjit për Kamatëvonesat, ndërsa gjatë vitit 2027 të miratojë Ligjin për Tregtinë e Brendshme.
Po ashtu, sipas saj, është duke u punuar në ndryshimin e Ligjit për Prokurimin Publik, me qëllim të lehtësimit të përfshirjes së prodhimit vendor në kontratat publike.
Një tjetër masë e prezantuar është vlerësimi i të gjitha lejeve dhe licencave, me synim eliminimin e atyre të panevojshme dhe lehtësimin e të bërit biznes. Këto masa synojnë të krijojnë kushte më të përshtatshme për kompanitë që operojnë në Kosovë dhe të nxisin investimet afatgjata.
Në panelin e parë, të moderuar nga Linda Shala me temën “Çfarë duhet të ndryshojë për të zhbllokuar Agjendën 1 Miliard Euro?”, morën pjesë ndërmarrësit Xhevdet Rexhepi nga Viva Fresh, Shaqir Palushi nga Frutex dhe Burim Piraj nga Meka. Diskutimi u përqendrua në hapat që duhet të ndërmerren nga Qeveria dhe sektori privat për krijimin e kushteve më të favorshme për prodhimin vendor.
Gjatë diskutimit u theksua rëndësia e planifikimit mbi të dhëna kredibile dhe matje të vlefshme, si bazë për përcaktimin e objektivave dhe vlerësimin e rezultateve.
Ministrja vlerësoi se dialogu publiko – privat dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe bizneseve janë thelbësorë për realizimin e reformave dhe për ndërtimin e një ekonomie prodhuese, eksportuese dhe të qëndrueshme. /KosovaNews/
