Kurti takon komisioneren Kos, diskuton për integrimin evropian dhe statusin e vendit kandidat për Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takimin e parë në Shën Stefan të Malit të Zi, në margjinat e Samitit të Procesit të Berlinit, me komisioneren evropiane për Zgjerim, Marta Kos.
Kurti ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për përshpejtimin e reformave dhe avancimin e Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian.
Ai ka theksuar se, me institucione plotësisht funksionale, Kosova do t’i përshpejtojë reformat, duke përmendur edhe hapat e ndërmarrë për integrimin në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).
Sipas Kurtit, miratimi i ligjit të fundit për integrimin në SEPA pritet t’u kursejë qytetarëve, bizneseve dhe diasporës rreth 58 milionë euro në vit. Ai ka bërë të ditur gjithashtu se së shpejti pritet të fillojnë negociatat për përfshirjen e Kosovës në skemën “Roam Like at Home”, e cila mundëson përdorimin e shërbimeve të telefonisë mobile pa tarifa shtesë të roamingut.
Kryeministri ka kërkuar që përparimi demokratik i Kosovës, përkushtimi ndaj vlerave të përbashkëta dhe përafrimi me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian të pasqyrohen në hapa konkretë drejt integrimit.
Në këtë kontekst, Kurti e ka vlerësuar të rëndësishme dhe të nevojshme mbështetjen proaktive të Komisionit Evropian për avancimin e Kosovës drejt statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.
Ai ka folur edhe për marrëveshjet e arritura në kuadër të Procesit të Berlinit, duke theksuar se Kosova i ka ratifikuar të gjitha ato, përfshirë marrëveshjen për njohjen e diplomave.
Sipas Kurtit, këto marrëveshje duhet të zbatohen nga të gjitha palët, përfshirë Serbinë.
