Kurti përkujton Fehmiun e Xhevën: Lavdi dëshmorëve të lirisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 28-vjetorin e rënies së Fehmi Lladrovcit, Xhevë Krasniqi Lladrovcit, Fatime Hetemit dhe Shefqet Zekës.
“28 vite më parë, më 22 shtator 1998, katër luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u përjetësuan bashkërisht si dëshmorë të lirisë së atdheut tonë”, ka shkruar Kurti.
Atë ditë, në fshatin Gradinë, Fehmi Lladrovci nga Gllanasella e Drenasit, me bashkëshorten e tij Xhevë Krasniqin nga Drenoci i Malishevës, si dhe Fatime Hetemi nga Bistrica e Shalës bashkë me Shefqet Zekën nga Prishtina, ranë dëshmorë duke luftuar përballë forcave armike serbe.
“Ata po e mbronin popullsinë civile të Drenicës, nga forcat e armatosura të Serbisë që kishin depërtuar në drejtim të Çikatovës dhe Gllanasellës”, ka shkruar ai.
Kurti ka përmendur edhe veprimtarinë e hershme politike të Fehmi Lladrovcit, i cili kishte mbajtur burg mes viteve 1985 dhe 1991 dhe kishte qenë aktiv mes emigrantëve politikë në Gjermani gjatë viteve ’90. Në mesin e vitit 1997, ai ishte kthyer në Kosovë për ta ndihmuar nga brenda organizimin dhe rezistencën e armatosur.
Fehmi Lladrovci ishte Komandant i Brigadës 114 të UÇK-së dhe, sipas Kurtit, konsiderohej njëri nga drejtuesit më të spikatur të kësaj ushtrie në ngritje e sipër.
Kurti ka shkruar edhe për Xhevë Krasniqin, e diplomuar për letërsi dhe drejtësi, duke theksuar se ajo dhe Fehmiu përbënin një çift që dashurinë mes tyre e kishin sublimuar te dashuria për atdheun dhe lirinë e tij.
Në javët e fundit të ofensivës dhe operacioneve të policisë dhe ushtrisë serbe ndaj UÇK-së, në të njëjtën betejë me Fehmiun dhe Xhevën ranë dëshmorë edhe Fatime Hetemi dhe Shefqet Zeka.
“Lavdi Fehmi Lladrovcit dhe Xhevë Krasniqi Lladrovcit, lavdi Fatime Hetemit e Shefqet Zekës, që luftuan deri në vdekje me bindjen se liria e Kosovës do të jetë trofeu i luftës dhe i jetës së tyre!”, ka përfunduar Kurti.
