Kurti në Swiss Medical School të organizuar nga Lidhja e Mjekëve Shqiptarë: Thekson rëndësinë e bashkëpunimit me diasporën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në hapjen e edicionit të katërt të Swiss Medical School, organizuar nga Lidhja e Mjekëve Shqiptarë në Zvicër, ku ka vënë në pah rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet mjekëve shqiptarë në diasporë dhe institucioneve shëndetësore në Kosovë.
Përmes një postimi në Facebook, ku ka publikuar fjalën e tij të plotë në këtë organizim, Kurti ka falënderuar mjekët shqiptarë që, përkundër angazhimeve të tyre profesionale në Zvicër, gjejnë kohë për të ndarë përvojën dhe njohuritë me kolegët në Kosovë, shkruan Telegrafi.
Ai ka theksuar se përmes këtij bashkëpunimi, njohuritë e fituara jashtë vendit bëhen pjesë e zhvillimit profesional në Kosovë dhe ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e kujdesit shëndetësor për qytetarët.
“Përmes këtij angazhimi, njohuritë e fituara jashtë vendit bëhen pjesë e zhvillimit profesional edhe këtu te ne dhe, rrjedhimisht, e kujdesit që marrin qytetarët tanë”, ka deklaruar Kurti.
Duke iu referuar programit të Swiss Medical School, ai ka vlerësuar rëndësinë e temave të trajtuara, të cilat përfshijnë sëmundjet koronare, urgjencat vaskulare, endokrinologjinë, gastroenterologjinë, gjinekologjinë dhe neuroimazherinë. Sipas tij, këto janë fusha që lidhen drejtpërdrejt me vendimet e përditshme klinike dhe kërkojnë njohuri të përditësuara, gjykim të kujdesshëm dhe bashkëpunim ndërmjet specialiteteve.
Kurti ka folur edhe për investimet në sistemin shëndetësor të Kosovës, duke përmendur veçanërisht Gjinekologjinë, Kardiologjinë Invazive, Neurokirurgjinë dhe Kirurgjinë Vaskulare.
Ai ka bërë të ditur se investimet në transformimin e reparteve të Gjinekologjisë kanë kaluar vlerën prej 5.5 milionë eurosh, ndërsa ka veçuar edhe funksionalizimin e shërbimit të frytnimit të asistuar mjekësor në sektorin publik.
Në këtë drejtim, Kurti ka njoftuar se më 5 nëntor është shënuar lindja e parë nga një shtatzëni e arritur përmes këtij shërbimi në sektorin publik.
“Më herët, ky shërbim ofrohej vetëm në institucionet private me kosto shumë të lartë, ndërsa tashmë ëndrra për t’u bërë prindër është e mundur për të gjithë, pa kosto dhe atë në sektorin tonin të përbashkët, publik”, ka shkruar ai.
Sa u përket investimeve të tjera, Kurti ka përmendur përurimin e hapësirës së rinovuar të Kardiologjisë Invazive në QKUK dhe angiografit të ri, për të cilët janë investuar afër 1.45 milionë euro, me mbështetjen e Qeverisë së Luksemburgut.
Ndërkaq, në Neurokirurgji dhe Kirurgji Vaskulare, sipas tij, janë investuar mbi tre milionë euro për modernizimin e sallave operative dhe pajisjen e tyre me aparatura të reja.
Ai ka theksuar se përmirësime të kushteve të punës dhe zgjerim të shërbimeve janë bërë edhe në klinika të tjera dhe në spitalet rajonale, me qëllim që qytetarët të kenë qasje në shërbime shëndetësore më afër vendbanimeve të tyre.
Në fjalën e tij, Kurti është ndalur edhe te rritja e buxhetit për Listën e Barnave Esenciale. Sipas të dhënave që ka prezantuar, ky buxhet nga 35 milionë euro në vitin 2019 është rritur në 64 milionë euro këtë vit, që paraqet rritje prej rreth 83 për qind, përcjell Telegrafi.
Rritje ka pasur edhe buxheti për barnat e pacientëve onkologjikë, i cili nga tetë milionë euro ka arritur në 22 milionë euro, apo 175 për qind më shumë.
Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij, kryeministri në detyrë ia ka kushtuar edhe largimit të profesionistëve shëndetësorë nga Kosova, por edhe kthimit të mjekëve në vend.
Duke e cilësuar këtë të fundit si një zhvillim të rëndësishëm, Kurti ka bërë të ditur se vetëm gjatë vitit 2025, 171 mjekë janë kthyer për të jetuar dhe punuar në Kosovë.
“Të gjithë jemi të brengosur me atë që quhet në mënyrë të popullarizuar, por me dhembje, ‘ikje e trurit’, edhe mjekët edhe infermierët tanë që lëshojnë atdheun dhe punojnë në vende të ndryshme të botës, posaçërisht në Evropën Perëndimore, por viteve të fundit e kemi dukurinë e cila është e kundërta e saj, drejtimi i njëjtë por kahja e kundërt, ‘kthimi i trurit’”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thënë se institucionet i mirëpresin mjekët që vendosin të kthehen në Kosovë, ndërsa çmojnë edhe kontributin e atyre që vazhdojnë të punojnë jashtë vendit, por kthehen herë pas here për të ligjëruar, trajnuar mjekë të rinj dhe bashkëpunuar me ekipet shëndetësore në vend.
Në këtë kontekst, ai e ka cilësuar Swiss Medical School si një shembull të bashkëpunimit të tillë, duke theksuar se synimi është që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen, ndërmjet profesionistëve dhe institucioneve ku ata punojnë.
Kurti ka përmendur gjithashtu hapjen e vazhdueshme të konkurseve për specializime, duke theksuar se për herë të parë ato janë bazuar në kritere të qarta dhe të sakta.
“Bashkëpunimin me mjekët e diasporës e shohim si marrëdhënie afatgjatë dhe të domosdoshme”, ka theksuar ai.
Në fund, Kurti u është drejtuar edhe studentëve të mjekësisë, duke i inkurajuar që edicionin e katërt të Swiss Medical School ta shfrytëzojnë për pyetje, diskutime dhe krijimin e lidhjeve profesionale.
Ai ka falënderuar organizatorët, ligjëruesit dhe pjesëmarrësit për kontributin e tyre, duke u uruar diskutime të frytshme dhe punë të mbarë. /Telegrafi/
