Kurti: Mandati i ardhshëm, hapja e negociatave për anëtarësim në BE
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka premtuar statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, për “mandatin që vjen”.
Në urimin për Ditën e Evropës, Kurti ka thënë se kjo është diçka që Kosova e ka merituar prej kohësh.
“Kosova sot është demokracia më e zhvilluar dhe ekonomia me rritjen mesatare më të lartë në rajon. Aplikimi për anëtarësim dhe liberalizimi i vizave ishin hapat historikë të mandatit që shkoi. Mandati që vjen do të jetë për statusin e kandidatit, hapjen e negociatave, dhe avancimin që Kosova e ka merituar prej kohësh”, ka shkruar ai në Facebook.
Kurti ka thënë se BE-ja u lind mbi rrënojat e Luftës së Dytë Botërore dhe në kohën kur nevoja për paqe ishte bërë ekzistenciale. Ai ka thënë se paqja nuk u ndërtua mbi harresë tek ka kujtuar krijimin e institucioneve të përbashkëta evropiane.
Në këtë rast ka thënë se Kosova për dallim përjetoi gjenocid dhe projekti evropian mbetet ende vetëm premtim i pambaruar.
“Ndërkohë, Kosova e jetoi shekullin e njëzetë ndryshe. Përveç dy luftërave botërore dhe luftërave të tmerrshme ballkanike, ne përjetuam edhe gjenocidin serb në fillim dhe në fund të tij. Për ne, projekti evropian mbeti një premtim i pambaruar paqeje deri në fund të shekullit. Pikërisht për këtë arsye, anëtarësimi në Bashkimin Evropian i vendeve të Ballkanit Perëndimor që duan të anëtarësohen nuk është thjesht çështje prosperiteti dhe mirëqenieje. Është domosdoshmëri për të siguruar paqen e qëndrueshme në Evropë”, ka shtuar ai.
Në dhjetor të 2022-s Kosova aplikoi për anëtarësim në BE. Por Kosova mbetet vendi i vetëm i përfshirë në procesin e zgjerimit e që nuk ka statusin e kandidatit,
