POLITIKATË FUNDIT

Kurti i bën thirrje Zelenskyt ta njohë Kosovën: Do të demaskohej blofi i Putinit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, që ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke theksuar se rasti i saj është thelbësisht i ndryshëm nga aneksimi i Krimesë nga Rusia. Teksa ka renditur arsyet mbi këtë, Kurti ka thënë se një njohje e tillë do ta demaskonte blofin e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili e përdor Kosovën për të justifikuar aneksimin e Krimesë.

Në një opinion për median ukrainase “Kyiv Post” , Kurti ka kritikuar qëndrimin e deritanishëm të Ukrainës për mosnjohjen e Kosovës, duke rikujtuar se Zelensky e kishte përsëritur këtë qëndrim gjatë një deklarimi në Beograd, në gusht të këtij viti.

Ai ka theksuar se Kosova e ka mbështetur vazhdimisht Ukrainën përballë agresionit rus, duke dënuar sulmet e Moskës, duke u rreshtuar me sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, si dhe duke ofruar strehim për gazetarët ukrainas dhe ndihmë e trajnime ushtarake.

“Në gushtin e kaluar, presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se qëndrimi i Ukrainës ndaj Kosovës, përkatësisht mosnjohja e saj, mbetet i pandryshuar. Ajo që ra në sy ishte fakti se kjo deklaratë u bë në Beograd, kryeqytetin e Serbisë, një prej aleatëve më të afërt të Rusisë. Kosova, nga ana tjetër, e ka ruajtur edhe qëndrimin e saj ndaj Ukrainës: atë të mbështetjes. Ne e kemi dënuar agresionin e Moskës, jemi rreshtuar me sanksionet e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, kemi strehuar gazetarë ukrainas dhe kemi kontribuar me ndihmë dhe trajnime ushtarake”, ka shkruar Kurti.

Kurti ka kundërshtuar pretendimet e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili e përdor rastin e Kosovës për të justifikuar aneksimin e Krimesë. Sipas tij, një krahasim i tillë synon ta diskreditojë Perëndimin dhe t’i paraqesë rastet krejtësisht të ndryshme si të barasvlershme.

Ai ka argumentuar se pavarësia e Kosovës ishte rezultat i një procesi të gjatë, që përfshiu shtypjen e shqiptarëve, luftën, spastrimin etnik, ndërhyrjen e NATO-s dhe negociatat ndërkombëtare. Në këtë kontekst, ka rikujtuar edhe opinionin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010, sipas të cilit shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. Duke u nisur nga këto premisa, Kurti ka thënë se njohja e Kosovës nga Ukraina do të nënkuptonte demaskimin e blofit të Putinit

“Njohja do ta hidhte poshtë pretendimin e Putinit se Kosova është dëshmi se demokracitë perëndimore nuk respektojnë ligjin. Ajo do ta refuzonte përpjekjen e tij për t’i futur rastet e ndryshme në të njëjtin kallëp, për t’i shërbyer një argumenti të leverdishëm për të”, ka shkruar tutje kryeministri i Kosovës.

Në opinion, Kurti ka theksuar se ndryshimi i kufijve përmes forcës ushtarake nuk mund të barazohet me vetëvendosjen e një populli. Kjo ka rëndësi, siç shkruan Kurti, jo vetën për Ukrainën, por për çdo vend që heziton ta njohë Kosovën për kontestet e veta territoriale.

Sipas Kurtit, njohja e Kosovës nga Ukraina nuk do të ishte një favor ndaj Kosovës, por një veprim në mbështetje të rendit ndërkombëtar që vetë Ukraina po e mbron përballë agresionit rus. “Krimea është Ukrainë. Dhe Kosova është Kosovë”, ka përfunduar Kurti opinionin e tij./Koha.net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *