Kurti: Hapja e dosjeve në Beograd është jetike për zbardhjen e fatit të të zhdukurve
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të ushtrojë presion ndaj Serbisë për hapjen e dosjeve dhe arkivave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Kurti këto deklarata i bëri sot, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë, pas homazheve te Monumenti i Personave të Zhdukur në Prishtinë, ku mori pjesë së bashku me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
Ai tha se nuk mund të pritet edhe më gjatë për hapjen e dosjeve të klasifikuara.
“I falënderojmë edhe ambasadorët e akredituar në Republikën e Kosovës që ishin të pranishëm sot këtu bashkë me ne për të bërë homazhe për të pagjeturit, por në të njëjtën kohë kërkojmë nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë, posaçërisht nga Bashkimi Evropian, ku Serbia po synon të anëtarësohet dhe nga e cila Serbia merr fonde qindra e qindra milionëshe, që të bëjnë trysni për hapjen e këtyre dosjeve. Neve si shtet po na kushton shumë të bëjmë gërmime e gjurmime, të humbim shumë kohë. Informacionet na vijnë jo të plota, pastaj na vijnë jo të sakta, dhe është shumë frustruese edhe për organet e shtetit që të bëjmë gjithë këto gërmime dhe të gjejmë megjithatë jo shumë trupa. Këto gërmime nuk do të kishim nevojë që t’i bëjmë këtu rrotull sikur ta kishim hapjen e dosjeve në Beograd. Prandaj shtetit tonë po i kushton shumë, jo vetëm familjeve, por edhe shtetit po i kushton shumë fakti që në Beograd dosjet vazhdojnë të jenë të mbyllura”.
“Prandaj, hapja e dosjeve të fqinjit tonë verior është jetike për zbardhjen e së vërtetës, për varrimet dinjitoze të më të dashurve tanë e sidomos të familjeve të tyre që presin në ankth, dhe gjithashtu edhe për kontributin në paqen e përgjithshme në rajonin tonë”, deklaroi Kurti.
