“Kurti e di kush dënohet e kush lirohet” – Familja e Haki Imerit reagon ndaj “propagandës së rrjeteve të Fatmir Shehollit”
Familja e Haki Imerit ka reaguar përmes një shkrimi të publikuar në Facebook, duke kundërshtuar deklaratat se vendimi i Gjykatës Speciale lidhur me ish-krerët e UÇK-së mund të jetë i ditur paraprakisht.
Në reagimin e publikuar në rrjetet sociale, familja e Imerit kritikon atë që e cilëson si “propagandë” dhe përhapje të lajmeve të rreme, duke iu referuar deklaratave se Kryeministri Albin Kurti kinse e di se kush do të dënohet dhe kush do të lirohet nga Gjykata Speciale.
Sipas familjes së Imerit, verdikti mund të dihet vetëm nga paneli i gjyqtarëve dhe nuk mund të jetë i njohur paraprakisht për persona apo struktura jashtë procesit gjyqësor.
Postim i plotë:
Miq,
Propaganda e rrjeteve të Fatmir Shehollit: “Kurti e di verdiktin”.
Ca “analistë-gazetarë” vazhdojnë ta helmojnë qytetarin me lajme të rreme.
Tani po thonë se kinse Kryeministri Kurti e di kush dënohet dhe kush lirohet më datën 16 shtator nga Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë.
KJO ËSHTË E PAVËRTETË.
Askush jashtë panelit të gjyqtarëve nuk mund ta dijë verdiktin që është ndërtuar mbi prova, dëshmi e fakte.
Gjykata nuk funksionon me thashetheme.
As me burime të nëntokës së Grenellit, Ramës e Vuçiqit,
As me porosi politike të klanit Pronto.
Rrjetet kriminale që po mbajnë nën presion popullin me kërcënime, shantazhe dhe pretendojnë se vendimi i 16 shtatorit i është bërë i ditur Kryeministrit, atëherë duhet të pyesim:
Kush e ka shkelur etikën gjyqësore?
Kush e ka nxjerrë informacionin?
Dhe mbi çfarë baze?
Ata që po mbjellin frikë e urrejtje, përçarje e kaos, duhet ta akuzojnë se vendimet gjyqësore nuk janë komunikata partiake.
Prandaj, verdiktin final të datës 16 shtator nuk e di askush në Kosovë, përveç atyre që kanë përgjegjësinë ligjore për ta shpallur atë.
Urojmë që çdo aktgjykim të respektohet plotësisht nga të gjitha palët.
Të dashur propagandistë ordinerë, mësohuni se drejtësia nuk negociohet, nuk kërcënohet, nuk frikësohet.
Drejtësinë nuk e ndryshon propaganda.
Kush mendon se mund t’i ikë përgjegjësisë për krimet e së djeshmes, duhet ta kuptojë një gjë të thjeshtë:
Drejtësia mund të vonojë, por ajo nuk dëgjon për rrahagjoksit dhe britmat e atyre që vërtet e kanë frikë drejtësinë.
Ata që kanë urdhëruar krime dje, sot përgjigjen para drejtësisë.
Ata që kërkojnë ta “djegin” Kosovën nesër, do të përgjigjen pasnesër.
Dhe kushdo që mendon se dhuna është rruga për t’i shpëtuar drejtësisë, duhet të nxjerrë mësim nga e kaluara se kjo epokë ka mbaruar.
