POLITIKATË FUNDIT

Kurti dhe Shiroka-Pula bënë homazhe në 37-vjetorin e rënies të Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut

Kryeministri i vendit, Albin Kurti bashkë me presidenten, Justina Shiroka Pula kanë bërë homazhe te varret e Afrim Zhitisë dhe të Fahri Fazliut, të cilët para 37 vjetëve ranë heroikisht në ballafaqim të armatosur e të pabarabartë me forcat e shtetit serbo-jugosllav.

Kurti përmes një njoftimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se në vitet e 80’ta ishte dekada kur shqiptarët nën ish-Jugosllavi, përbënin 1/8 e popullsisë së gjithmbarshme, por rreth 80 për qind të të gjithë ish të burgosurve politikë ishin shqiptarë.

“Në vitin 1989 i kishim Afrimin e Fahriun, e pesë vjet para tyre, në mes të viteve të 80-ta, e kishim Rexhep Malën e Nuhi Berishën. Ishin këto përballje në të cilat rënia heroike e veprimtarëve intelektualë dhe patriotëve idealistë, bëhej ngritje e vetëdijes dhe e organizimit të shqiptarëve. Ishte kjo dekada kur shqiptarët nën ish-Jugosllavi, përbënin 1/8 e popullsisë së gjithmbarshme, por rreth 80 për qind të të gjithë ish të burgosurve politikë ishin shqiptarë”, ka shkruar ai.

Tutje Kurti tha se Afrimi e Fahriu, edhe punuan edhe luftuan, u angazhuan e kontribuuan, për çlirimin e Kosovës, për lirinë e popullit dhe për bashkimin e përparimin e tij.

“Ata tani prehen të qetë së bashku me heronjtë tanë të tjerë, Ilir Konushevcin, doktor Hazir Malën, Agron Rrahmanin, Bahri Fazliun, e në mes të gjithë këtyre, simboli i qëndresës shqiptare, Bacë Adem Demaçi. Duke lartësuar Republikën dhe kombin tonë, duke mbrojtur integritetin territorial, duke ruajtur sovranitetin shtetëror, duke rritur ekonominë dhe forcuar ushtrinë, duke ju shërbyer qytetarëve e shoqërisë, ne ju përmbahemi idealeve të dëshmorëve të kombit”, ka shkruar ndër të tjera Kurti. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *