“Kundërshtarët e Kosovës janë bashkuar kundër Kurtit dhe Donikës”, Geci ‘shpërthen’ ndaj opozitës: Kanë frikë nga…
Analisti politik Halil Geci ka reaguar përmes një shkrimi publik lidhur me sulmet dhe kritikat ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ministres Donika Gërvalla, duke i cilësuar ato si të koordinuara dhe të motivuara nga frika ndaj një Kosove që, sipas tij, nuk lejon cenimin e kufijve dhe sovranitetit të shtetit.
Geci shkruan se kritikat ndaj Kurtit dhe Gërvallës po vijnë “nga të gjitha anët”, duke përmendur politikën serbe, Rusinë, si dhe kundërshtarë politikë brenda dhe jashtë Kosovës. Sipas tij, kjo dëshmon se nuk bëhet fjalë për sulme të rastësishme, por për reagim ndaj një qeverie që “nuk po u nënshtrohet presioneve”.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve dhe diasporës që të mobilizohen për zgjedhjet, duke theksuar se mbrojtja e Kosovës duhet të bëhet përmes votës dhe jo përmes dhunës.
Në shkrimin e tij, Geci ka përmendur edhe deputetin Fatos Geci, për të cilin thotë se ishte sulmuar politikisht pasi kishte “prekur nyjën e krimit dhe interesave të errëta”.
Sipas analistit, sulmet ndaj qeverisë aktuale tregojnë frikën nga një Kosovë që nuk pranon kompromise për territorin dhe nuk i përshtatet planeve të aktorëve që, sipas tij, e duan shtetin të dobët dhe të përçarë.
Në fund të reagimit, ai ka shprehur bindjen se qytetarët do të përgjigjen përmes votës në zgjedhjet e ardhshme, duke mbështetur ata që, sipas tij, “nuk u përkulën para Serbisë dhe Rusisë”.
Shkrimi i plotë:
SULMET NDAJ KURTIT DHE DONIKËS JANË FRIKË NGA NJË KOSOVË QË NUK LEJON T’I PREKET KUFIRI
Kur sulmojnë të gjithë njëkohësisht, atëherë dihet se kujt po i dhemb e vërteta
Kurti dhe Donika po sulmohen e kritikohen nga të gjitha anët – nga brigadat e veriut e të jugut, nga Aleksandar Vučić, nga Vulin, nga politika serbe e ruse, madje edhe nga rilindasit e Edi Ramës, nga LPK-ja e Ali Ahmetit, e deri te vetë Rusia në Këshillin e Sigurimit. Kjo tregon se nuk bëhet fjalë për sulme të rastësishme, por për një reagim të koordinuar ndaj një qeverie që nuk po i nënshtrohet presioneve.
Kjo na jep të kuptojmë se populli duhet t’i mbrojë bijtë dhe bijat e veta jo me pushkë, por me votë.
Vota juaj, qytetarë të nderuar, kësaj here duhet ta tejkalojë 60+1 për qind, nëse nuk duam ndarjen e Kosovës dhe rikthimin e atyre që për më shumë se 20 vite e kanë dëmtuar shtetin për interesa personale.
Diaspora duhet të jetë në aksion. Me votë duhet të ndëshkohen keqbërësit e vjetër politikë dhe ata që, pasi përfituan, u distancuan nga rruga që dikur e mbështetën, duke zgjedhur interesin personal mbi interesin shtetëror.
Sot nuk është koha e heshtjes. Është koha që qytetarët ta mbrojnë Kosovën me mjetin më demokratik – votën.
Me një fjalë, po sulmohen nga brenda dhe nga jashtë, sepse nuk po i përshtaten planeve të atyre që Kosovën e duan të dobët dhe të përçarë.
Një përndjekje të ngjashme e kishte përjetuar edhe deputeti Fatos Geci ,vetëm pse kishte prekur nyjën e krimit dhe interesave të errëta që për vite e kanë mbajtur shtetin peng.
Sulmet që përjetoi Fatosi nga zëra dhe analistë të ndryshëm, të cilët kërkonin ndëshkimin e tij dhe e etiketonin me terma të ndryshëm, tregojnë klimën e ashpër politike të kohës. Në këtë kontekst, Kurti nuk përjashton atdhetarë, por as nuk lejon afrimin e atyre që konsiderohen të dëmshëm për shtetin dhe procesin politik.
Sot po ndodh e njëjta gjë. Sulmet nuk janë rastësi. Kur bashkohen Serbia, Rusia dhe bashkëpunëtorët e tyre politikë nga brenda e jashtë Kosovës kundër një qeverie, kjo tregon frikën nga një Kosovë që nuk lejon cenimin e kufijve dhe që nuk nënshtrohet.
Megjithatë, populli i ka parë të gjitha: sulmet, shpifjet dhe presionet e organizuara. Dhe populli do të dijë të përgjigjet me votë.
Kësaj here, përgjigjja më e fortë ndaj atyre që e sulmojnë Kosovën dhe përfaqësuesit e saj do të jetë mbështetja qytetare dhe vota mbi 61% për ata që nuk u përkulën para Serbisë, Rusisë dhe bashkëpunëtorëve të tyre.
Me një fjalë: ejani, sepse te kutia e votimit do ta merrni përgjigjen.
