Kthimi i Arlindës në shtëpi, avokatja: Nuk ishte vullneti i saj
Avokatja Adelina Hoxha, përfaqësuese ligjore e të ndjerës Arlinda Zekaj, ka reaguar ndaj deklarimeve të Policisë, duke kërkuar që rasti të trajtohet me kujdes dhe që të mos jepen arsyetime për veprimet e zyrtarëve pa u shqyrtuar të gjitha rrethanat.
Përmes një reagimi publik, Hoxha ka vënë në pikëpyetje mënyrën se si Policia po i trajton deklarimet lidhur me rastin, duke theksuar se institucionet duhet t’i analizojnë me vëmendje të gjitha provat dhe informacionet relevante.
“Nuk e di a duhet policia me pas kujdes kur jep prononcime, a me i arsyetu patjetër zyrtarët e vet!!!! Nuk ka qenë vullneti i viktimës!!!”, ka shkruar avokatja. Hoxha ka bërë të ditur se materialet që lidhen me rastin do t’i dorëzohen Kryeprokurorisë së Shtetit, me qëllim që ato të shqyrtohen nga organet kompetente. Ajo ka kërkuar vëmendje të veçantë për deklaratën që viktima dyshohet se e kishte dhënë në polici rreth gjysmë ore para se të vritej.
“Së paku kontrollone deklaratën e viktimës në polici gjysë ore para se mu vra… e shumë tjera”, ka theksuar Hoxha.
Avokatja ka insistuar që kjo deklaratë dhe materialet e tjera të rastit të merren parasysh gjatë shqyrtimit të rrethanave, duke kërkuar që institucionet të mos nxjerrin përfundime pa u analizuar të gjitha të dhënat përkatëse.
