Kthesë e papritur në Evropë: As Tesla dhe as kinezët, ja kush po dominon në shitjen e makinave elektrike!
Shitja e makinave elektrike në Evropë vazhdon të rritet fuqishëm, ndërsa muaji tetor solli një kthesë interesante në listën e modeleve më të shitura. Tesla ka humbur pozicionin kryesues, ndërsa në majë është ngjitur një makinë e prodhuesit çek.
Në tetor, në Evropë u regjistruan rreth 347.000 makina të reja elektrike, që paraqet një rritje prej plot 56,6 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Pjesa e tyre në treg u rrit nga 21 në 31 për qind.
Makina elektrike më e shitur në Evropë në tetor ishte Škoda Elroq me 9.384 njësi të regjistruara, duke lënë pas Renault 5 E-Tech, i cili tërhoqi 8.933 blerës.
Vendi i tretë i takoi BMW iX1 me 8.359 regjistrime, vetëm 50 më shumë se Tesla Model Y, e cila e mbylli tetorin në vendin e katërt.
Prodhuesi amerikan regjistroi në tetor 8.309 njësi të Modelit Y, dukshëm më pak se në shtator, kur ky SUV elektrik, me rreth 40.000 regjistrime, ishte makina më e shitur në Evropë, pavarësisht llojit të motorit.
Vendin e pestë e zuri Mercedes GLC elektrik me 7.858 regjistrime, i ndjekur nga Škoda Enyaq, Volkswagen ID.4 dhe BMW iX3 i ri. Në dhjetëshen e më të shiturave u renditën edhe Volkswagen ID.7 dhe Renault Twingo E-Tech i ri.
Veçanërisht interesant është fakti se ndër dhjetë makinat elektrike më të shitura në Evropë në tetor nuk ka asnjë model të markave kineze, ndërsa prodhuesit evropianë mbajnë plot nëntë pozicione.
Makinat elektrike më të shitura në Evropë në tetor 2026: * Škoda Elroq – 9.384 * Renault 5 E-Tech – 8.933 * BMW iX1 – 8.359 * Tesla Model Y – 8.309 * Mercedes GLC – 7.858 * Škoda Enyaq – 7.561 * Volkswagen ID.4 – 7.546 * BMW iX3 – 7.394 * Volkswagen ID.7 – 7.011 * Renault Twingo E-Tech – 6.870
Tesla vazhdon të udhëheqë bindshëm në vitin 2026
Pavarësisht një tetori më të dobët, Tesla Model Y mbetet bindshëm makina elektrike më e shitur në Evropë për këtë vit. Në dhjetë muajt e parë janë regjistruar 175.862 njësi të këtij modeli, që përbën një rritje vjetore prej 51,6 për qind. Në vendin e dytë renditet Škoda Elroq me 98.726 regjistrime dhe një rritje prej 39,6 për qind, ndërsa vendi i tretë i takon Tesla Model 3 me 92.134 njësi të regjistruara. E katërta është Renault 5 E-Tech me 77.927 regjistrime.(INA)
