Kryeministri Kurti flet për gazetarin francez: Nuk duam një Republikë Srpska të re në Kosovë
Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, ka kundërshtuar sërish formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në formën që kërkohet nga Beogradi, duke paralajmëruar se një strukturë e tillë mund të cenonte shtetësinë dhe funksionalitetin e Kosovës.
Në një intervistë për podcastin gjeopolitik “Quartier Général”, Kurti deklaroi se nuk është kundër bashkëpunimit ndërmjet komunave, por se një mekanizëm i tillë duhet të funksionojë brenda rendit kushtetues të Republikës së Kosovës dhe të synojë përmirësimin e shërbimeve publike.
“Ne tashmë e kemi një asociacion të komunave. Por ajo që Serbia e quan asociacion, në të vërtetë nuk është për komunitetin serb, por kundër pavarësisë së Kosovës”, tha Kurti.
Sipas tij, Prishtina synon marrëdhënie të mira fqinjësore dhe normalizim të plotë me Serbinë, por në kuadër të një procesi që përfshin edhe njohjen reciproke.
Çështja e Asociacionit është një nga pikat kryesore të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013. Formimi i saj është kërkuar vazhdimisht nga Beogradi, ndërsa Prishtina ka refuzuar një asociacion me kompetenca ekzekutive.
Kurti iu referua edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila në vitin 2015 konstatoi se parimet e atëhershme për Asociacionin nuk ishin plotësisht në përputhje me Kushtetutën.
Kryeministri në detyrë argumentoi se problemi, sipas tij, nuk qëndron te komuniteti serb në Kosovë, por te politika e Beogradit, të cilën e akuzoi për një “nxitje hegjemoniste” dhe për mospranimin e faktit që serbët mund të jenë pakicë në shtete të tjera.
Prishtina ka paralajmëruar prej vitesh se nuk do të pranojë një strukturë që do të mund të merrte kompetenca të ngjashme me ato të Republikës Srpska në Bosnje e Hercegovinë, duke e konsideruar këtë si rrezik për funksionimin e institucioneve dhe shtetësinë e Kosovës.
Në anën tjetër, Beogradi e konsideron krijimin e Asociacionit një nga detyrimet kryesore të Prishtinës që rrjedhin nga dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Çështja vazhdon të mbetet një nga pengesat më të mëdha në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë–Serbi.
