Kryeministri britanik Burnham thotë se Rusia ndërhyri në votimin e Brexit-it të vitit 2016
Kryeministri britanik Andy Burnham deklaroi se Rusia ndërhyri në votimin e Brexit-it të vitit 2016, ndërsa paralajmëroi votuesit në Francë dhe Gjermani për përpjekjet e mbështetura nga Moska për të ndikuar në politikën e tyre.
Burnham, i cili mori drejtimin e Britanisë në korrik dhe muajin e kaluar tha se vendi mund të shqyrtojë mundësinë e rikthimit në Bashkimin Evropian në të ardhmen, është kryeministri i parë britanik që thotë hapur se kishte prova për ndërhyrje ruse në referendumin e mbajtur gati një dekadë më parë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
"Kur erdha në Downing Street, shtrova pyetjen: a pati ndërhyrje nga Rusia në referendumin e vitit 2016? Dhe mora një përgjigje të qartë: po, pati", citohet të ketë thënë Burnham në një intervistë për podkastin "The Rest Is Politics", të publikuar të dielën.
Burnham nuk shpjegoi se si besonte se Rusia kishte ndërhyrë në referendum dhe nuk dha detaje mbi provat në të cilat bazohej kjo deklaratë.
Rusia më parë e ka mohuar ndërhyrjen në votimin e Brexit-it, duke pretenduar se Britania është kapluar nga një histeri anti-ruse.
Komentet e Burnham-it shënojnë një ndryshim nga qëndrimi i ish-kryeministrit Boris Johnson, i cili bëri fushatë për largimin nga BE-ja dhe në vitin 2020 deklaroi se nuk kishte prova për ndërhyrje ruse në referendum.
Në vitin 2016, britanikët votuan me një rezultat 52% kundrejt 48% për t'u larguar nga BE-ja, duke e zhytur vendin në krizën më të madhe politike që nga Lufta e Dytë Botërore.
Burnham tha se votuesit në demokracitë evropiane duhet të jenë më të informuar rreth përpjekjeve për të destabilizuar politikën e tyre.
"Është e rëndësishme që këto gjëra të thuhen qartë dhe, besoj unë, t'i ndihmojnë votuesit në Gjermani dhe Francë të kuptojnë se një pjesë e kësaj politike nxitet nga armiqtë tanë, konkretisht nga Rusia", ka thënë ai.
Qeveria britanike nuk arriti të përcaktonte nëse Rusia kishte ndërhyrë në referendumin e vitit 2016 për anëtarësimin në BE, sipas një raporti të vitit 2020 të Komisionit Parlamentar për Inteligjencën dhe Sigurinë.
Raporti gjithashtu konstatoi se Rusia kishte tentuar të ndikonte në referendumin e pavarësisë së Skocisë në vitin 2014, në të cilin votuesit e hodhën poshtë pavarësinë.
Muajin e kaluar, Burnham deklaroi se mund të angazhohej në një fushatë për rikthimin e Britanisë në BE në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, duke rihapur kështu debatin e vendit mbi marrëdhëniet e tij me kontinentin. / Telegrafi /
