Krenar Lloga në PodGo – flet për protestat në Shqipëri, BDI-në dhe VLEN-in
Ish-ministri i Drejtësisë Krenar Lloga, është i ftuari i radhës në emisionin PodGo me të cilin kemi diskutuar për periudhën e tij pas tërheqjes nga politika.
Me Llogën biseduam edhe për protestat në Shqipëri, si dhe atë çfarë e pret Maqedoninë e Veriut në vitet e ardhshme. Lloga tha se pas tërheqjes nga politika ka jetë më të qetë dhe se për momentin nuk e sheh veten të rikthehet në politikë.
"Bëhen një vit nga tërheqja ime partiake, jam aktiv politikisht për të alarmuar fenomenet jo normale në shoqëri. Shqetësimet e mia jam munduar t'i artikuloj nëpërmjet platformave sociale. Jam në shkollën e doktoraturës në Fakultetin Juridik. Po ashtu kam qenë pjesë e një projekti jashtë Maqedonisë lidhur me fushën e drejtësisë", tha Lloga duke treguar për jetën e tij pas tërheqjes nga politika.
E pyetëm për protestat në Shqipëri, ndërsa tha se ditët e para policia e Shqipërisë nuk arriti ta menaxhojë në mënyrë profesionale protestën.
"Është shqetësuese, pasi ka eskalim të dhunës në rrugë përfshirë institucionet shtetërore dhe bizneset private. Ditët e para nuk u menaxhua mirë nga organet e sigurisë, kishte veprim amatoresk të policisë. Shqipëria në historikun e saj shtetbërës ka ngjarje të ndryshme. Kjo ndodh në shumicën e shteteve përparimtare. Nëse ky volum i protestave do të zgjasë, duhet të ketë marrëveshje, por uroj të ndodh sa më shpejt", tha Lloga duke shtuar se nëse pushteti sillet me arrogancë sa do që të ketë mandatet, mund të ketë revoltë gjithëpopullore.
Sa i përket BDI-së, Lloga tha se ata nuk janë mësuar në opozitë dhe se nuk e kanë përfunduar procesin e reformimit.
"BDI ka nis një proces të reformimit më herët kur i emëroi ato ministrat e rinj, por nuk e përmbyllën. Tani në kongresin e fundit bënë një reformim më të madh, por kjo nuk nënkupton vetëm sjelljen e moshave të reja. Ajo që duhet BDI të reflektojë është të rikthehen në terren më fuqishëm. Duhet të kenë front më të gjerë, jo vetëm etnik. Pra duhet të flasin për ekonomi, shëndetësi dhe tema tjera. Ata nuk janë mësuar me opozitën dhe nuk dijnë ta bëjnë opozitën", tha Lloga.
Ndërsa në lidhje me VLEN-in, Lloga tha se ata më shumë shërbejnë si mekanizëm plotësues para ndërkombëtareve, për të treguar se Qeveria ka përfaqësues shqiptarë.
"Kanë konsumuar këto vitet duke mos u dukur. Shumicën e kohës presin se çfarë do të thotë i pari i qeverisë, më pas të shfaqen ata. Nuk prodhojnë politika ditore, por konsumojnë. Për këto dy vite kanë shërbyer më shumë si mekanizëm plotësues përballë ndërkombëtarëve se edhe kjo qeveri ka shqiptarë, por kjo mund t'u kthehet gur në kokët e tyre, kur kjo politikë mund të zgjedh një faktorë të tretë shqiptar për në Qeveri", tha mes tjerash Lloga./Telegrafi/
